Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjë e Hercegovinën, Christian Schmidt, paralajmëroi se kërcënimet për shkëputje që vijnë nga Republika Srpska nuk duhet të konsiderohen thjesht retorikë, por një rrezik real për paqen dhe stabilitetin atje.
Schmidt dje mbajti një takim të jashtëzakonshëm me ambasadorët e shteteve anëtare të Komitetit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes, organi që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, pas së cilës zyra e tij në Sarajevë lëshoi një deklaratë për shtyp, duke thënë se në rend dite ishte situata aktuale në Bosnjë, raporton Intex.hr.
Përfaqësuesi i Lartë dhe Komandanti i Forcave Ushtarake të Bashkimit Europian në Bosnjë e Hercegovinë (EUFOR), gjenerali Laszlo Sticz, prezantoi vlerësimet e tij për situatën e sigurisë në vend, ndërsa Schmidt, siç u tha, i kushtoi vëmendje të veçantë njoftimeve për shkëputjen e RS që vjen nga udhëheqësit politikë të këtij entiteti.
“Njoftimet e tilla nganjëherë hidhen poshtë si thjesht retorikë politike. Unë nuk mendoj kështu: ne jemi dëshmitarë të zbatimit të një agjende politike që kërcënon integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”, tha Schmidt.







