SBASHK-u kërkon nga 300 euro shtesë për 28 mijë punëtorë të arsimit

Nëse Qeveria e Kosovës nuk do t’u japë punëtorëve të arsimit nga 300 euro shtesë për punën që kanë bërë në shkolla në muajt tetor, nëntor e dhjetor, gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor mund të nisë më grevë të përgjithshme.

Këtë paralajmërim e ka dhënë Sindikata e Arsimit, sipas së cilës Qeveria u ka premtuar paga shtesë punëtorëve shëndetësorë e policisë dhe i ka lënë anash punëtorët e arsimit. Sipas kërkesës së SBASHK-ut, i bie që Qeveria për 3 muajt e gjysmëvjetorit të parë të shpenzojë mbi 8 milionë euro për shtesat e gjithsej 28.150 punëtorëve të arsimit.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëse nuk realizohet kërkesa e tyre, para 18 janarit kur duhet të nisë gjysmëvjetori i dytë, do të mblidhet Këshilli Drejtues i Sindikatës dhe do ta shpallë grevën. Ai po kërkon që përveç për muajt tetor, nëntor e dhjetor t’iu ndahen shtesa edhe në gjysmëvjetorin e dytë.

“Ne nuk po kërkojmë asgjë që nuk është e realizueshme nga buxheti ekzistues, por Qeveria Hoti duhet të veprojë si për ne, si për të tjerët. Po them, ne nuk kemi bërë asnjë zhurmë në mars, prill e maj kur mësimdhënësit punonin nga larg dhe nuk ishin të ekspozuar direkt nga rreziku nga COVID-19. Por nga 15 shtatori e këndej shifrat kanë shënuar rritje, madje krahasimet që janë bërë me sektorët e tjerë del se njëri prej sektorëve më të goditur nga COVID-i është arsimi”, ka thënë ai.

I pyetur nëse do të dëmtohen nxënësit me grevë, Jasharaj ka thënë se për këtë duhet të shqetësohet Qeveria, pasi që detyrë e Sindikatës është t’i mbrojë kërkesat e punëtorëve të arsimit.

Kërkesën e SBASHK-ut për mjete shtesë shoqëria civile po e cilëson të paarsyeshme dhe shantazh ndaj institucioneve. Sipas Rron Gjinovcit nga Organizata ORCA, kjo kërkesë shpërfaq mentalitetin zhvatës të administratës publike. Kjo kërkesë thotë se vjen për shkak se zgjedhjet janë afër dhe partitë mund të nisin të japin premtime për këtë çështje.

“Këto nuk janë fare metoda sindikale, unë jam person me bindje jashtëzakonisht të majta, mirëpo askund në teoritë që i kam lexuar nuk ekzistojnë veprime të tilla shantazhuese, dhe arsimtarët e Kosovës janë më të paguarit në rajon, ndërkohë që në Kosovë është ekonomia më e varfër në rajon dhe nxënësit e saj janë më të dobëtit në rajon. Pra, ka një diskrepancë mes kërkesave të tyre dhe asaj çka po mund të ofrojnë në arsimin e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nuk bëhet fjalë për asnjë shantazh ndaj institucioneve, meqë, sipas tij, në vazhdimësi kanë bërë kërkesa të tilla kushdo që ka qenë në Qeveri.

Rreth kërkesës dhe paralajmërimit për grevë nga SBASHK-u, KOHA ka kërkuar një qëndrim nga Qeveria, por zëdhënësja Antigona Baxhaku ka rekomanduar që për këtë të pyetet Ministria e Arsimit. E në MASH nuk kanë kthyer përgjigje.

Kjo nuk është hera e parë që Sindikata e Arsimit paralajmëron dhe organizon greva. Në janar të vitit 2019 ishte mbajtur grevë 3-javore për shkak të pakënaqësive të SBASHK-ut me Ligjin e pagave.

Viti shkollor në Kosovë këtë vit ka nisur me dy javë vonesë, ndërkohë edhe gjysmëvjetori përfundoi një javë më herët me vendim të Qeverisë.