SBASHK-u deklarohet për grevën e sotme, paralajmëron Qeverinë Kurti për veprimin e radhës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka reaguar pas grevës një orëshe të mbajtur sot, ku thuhet se greva është realizuar pothuajse 100%, me përjashtim të shkollës fillore “Iliria” në Prishtinë.

Nëpërmjet një njoftimi për media, SBASHK-u, shton se thirrja për grevë në këtë shkollë nuk është respektuar për shkak se në këtë shoqatë sindikale nuk janë kryer ende zgjedhjet.

“Kemi kënaqësinë të iu informojmë se sipas informatave që i kemi marr nga Këshillat Greviste Komunale dhe Universitete (Këshillat Greviste të SUSHK-ut) tregon se pas mbajtjes së grevës njëorëshe edhe në ndërrimin e dytë në nivel vendi greva ishte e realizuar pothuajse 100%, përjashtim bën vetëm shkolla fillore “Iliria” në Prishtinë, të cilët nuk e kanë respektuar thirrjen për grevë, për shkak se në këtë shoqatë sindikale ende nuk janë kryer zgjedhjet e ndoshta janë keq informuar nga ish kryetari i kësaj shoqate sindikale”, thuhet përveç tjerash në njoftim.

Tutje shtohet se, thirrjes së SBASHK-ut për grevë i janë përgjigjur edhe ata punonjës të arsimit të cilët nuk janë anëtarë të kësaj sindikate.

“Duke marr parasysh numrin e anëtarësisë së SBASHK-ut që është 25,123, grevës iu kanë përgjigjur rreth 27,000 punonjës të këtij sektori, që do të thotë edhe ata që nuk janë anëtarë të SBASHK-ut, janë solidarizuar me grevën. Pjesëmarrja kaq e madhe në grevën paralajmëruese na obligon neve udhëheqësin e SBASHK-ut që të jemi shumë këmbëngulës drejt realizimit të kërkesave tanimë të njohura dhe presim reflektim pozitiv nga Qeveria për t’i realizuar kërkesat”, shtohet tutje në njoftim.

Me tej, SBASHK-u bën thirrje që të gjithë punonjësve të arsimit që të bëjnë përgatitjet e duhura që më datë 20 maj të mbahet protestë para Qeverisë së Kosovës.

“Qysh nga sot iu ftojmë që të bëhen gjitha përgatitjet e duhura që me datë 20 maj 2022 të gjithë së bashku e të bashkuar edhe me anëtarët e federatave tjera sindikale, të organizojmë një protestë në Prishtinë, e cila do të jetë paralajmërimi i fundit para grevës së përgjithshme, të cilën pritet ta shpall BSPK, në rast të mos përmbushjes së kërkesave të anëtarësisë së federatave sindikale”, njofton SBASHK-u.

Përndryshe kjo grevë e SBASHK-ut, ka ardhur si rezultat i mos përmbushjes së kërkesave që kjo sindikatë ka pasur drejt qeverisë.