Greva

SBASHK: Më 14 janar në grevë me kohë të pacaktuar

Grevës njëorëshe të thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, iu kanë përgjigjur 99 përqind të gjitha institucionet arsimore. E nëse nuk do të ketë reflektim të institucioneve përgjegjëse kjo sindikatë paralajmëron që me datën 14 janar të vitit që vjen, do të futen në grevë deri në realizim të kërkesave të tyre.

Kjo grevë ka ardhur pas kundërshtimeve që kjo sindikatë ka për projektligjin për pagat, pasi vlerësojnë se janë diskriminuar në krahasim me sektorët e tjerë.

Gjatë ditës drejtues të SBASHK-ut, kanë vizituar grevistët në shkollën “Dr.Ibrahim Rugova”, në Obiliq.

Me këtë rast, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se kjo është vërejtja e fundit për institucionet e Kosovës dhe se nëse nuk do të ketë reflektim do të futen në grevë me kohë të pacaktuar.

Jashari tha se kërkesë e kanë që çdo koeficient në arsim të rritet për 30 përqind.