SBASHK ka një kërkesë për Ministrinë e Arsimit për mësuesit

SBASHK ditën e sotme i është drejtuar me një komunikatë Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit që punëtorët që kanë mbushur moshën e pensionit mos të pensionohen  deri në përfundim të procesit të mësimit nga larg.

“E nderuara Ministre na gëzon fakti se punëtorët e arsimit janë të përkushtuar dhe fatmirësisht kanë arritur shpejt ta përvetësojnë mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor nga larg duke qenë të mbështetur e duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm nga larg me nxënësit dhe prindërit. Me qëllim që procesi mësimor që po zhvillohet nga larg të ketë rrjedhë të mbarë ju drejtohemi me lutjen që ju e nderura Ministre Bajrami të angazhoheni dhe Qeveria të nxjerrë një vendim që punëtorët e arsimit që kanë arritur moshën mos të pensionohen deri në përfundim të procesit mësimor nga larg, po të vazhdojnë me punën dhe angazhimin me nxënësit e tyre.

Këtë lutje e bazojmë në faktin se ata kanë përvetësuar mirë mësimin nga larg dhe janë në komunikim me nxënësit dhe prindërit dhe janë të njohur për njëri-tjetrin .

Nëse ata pensionohendo të pengohet procesi mësimor nga larg ngase në këto rrethana të reja procesi i rekrutimit të kuadrove të reja është tepër i vështirë dhe do të humbeshin ditë të tëra në pritje të afateve të konkursit dhe po ashtu do të kishte probleme në organizimin e punës së paneleve të intervistimit me shkrim e me gojë për kandidatët që konkurrojnë.

Aq më shumë, kuadrot e reja do ta kishin tepër të vështirë të angazhoheshin suksesshëm në procesin mësimor nga larg ngase do të ishin të
panjohur për kolegët në atë shkollë e aq më shumë për nxënësit me të cilët do të duhej ta zhvillonin procesin mësimor.

Po ashtu ata do ta kishin tepër të vështirë të krijojnë mundësi për komunikim me prindërit . Gjithë këto do të krijonin probleme të mëdha për ta në zhvillimin e procesit mësimor nga larg “, ka argumentuar SBASHK-u në kërkesën drejtuar Ministres Bajrami dhe Qeverisë.