Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u janë afër marrëveshjes që të bëhet kompensimi i orëve.

Pas takimit te sotëm ministri i arsimit Shyqiri Bytyqi, është zotuar që të tërheq vendimin për kompensimin e orëve dhe do të punohet për ndryshimin e koeficientit për mësimdhënësit e klasave 1 deri në 5, e nëse këto kërkesa realizohen atëherë SBASHK-u do të bëjë kompensimin e një jave të mësimit pas përfundimit të vitit shkollor.

Kryetari i komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, ka treguar kërkesat e SBASHK-ut.

“Dy kërkesat e SBASHK-ut tanimë janë të plotësuara, sepse ministria është e gatshme vendimin e marrë ta tërheq dhe të gjejnë një zgjidhje me SBASHK-un. Kërkesa e dytë, plotësimi i ligjit për paga sa i përket nivelizimit të pagave të mësimdhënësve nga klasa e parë deri në klasën e 5-të. Këto kanë qenë dy kërkesat e SBASHK-ut”, tha Kurteshi.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se si ministri janë të gatshëm të flasin për kompensimin e orëve.

“Siç e kemi marrë vendimin e parë me një formulë e cila është paraqitur nga drejtorët e DKA, po të njëjtën mund ta tërheqim dhe të gjejmë një formë tjetër. Ne jemi të gatshëm të gjejmë zgjidhje dhe të mos dëmtohen nxënësit”, tha ai. Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, tha se vetëm një javë do të kompensohet nëse përmbushen kërkesat e tyre.

“Ministri u deklarua se do ta bëjë tërheqjen e vendimit për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës. Njëkohësisht na u premtua se do të bëhet ndryshimi i koeficientit për mësimdhënësit 1-5. Në momentin kur realizohen këto kërkesa ne do të ftojmë këshillin drejtues dhe do të marrim vendim dhe do të bëhet kompensimi i një jave në fund të vitit mësimor”, tha ajo.