Princi saudit

“Sauditët nuk do të paguajnë SHBA-të për sigurinë e tyre”

Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, tha se vendi i tij nuk do të paguajë Washingtonin për sigurinë e vet, duke thënë se mbretëria e tij e pasur me naftë është krijuar përpara vetë SHBA-ve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Arabia Saudite ishte aty përpara Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është aty që nga viti 1744, besoj se më shumë se 30 vjet përpara Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha bin Salman në një intervistë ekskluzive të premten për Bloomberg.

Javën e kaluar, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se mbreti saudit nuk do të zgjaste dy javë në pushtet pa mbështetjen ushtarake të SHBA-ve.

Por bin Salman minimizoi vërejtjet e Trumpit, duke thënë se “duhet të pranosh se çdo mik do të thotë gjëra të mira dhe gjëra të këqija”. “Kështu që nuk mund të kesh miq 100 për qind që thonë gjëra të mira për ty, madje edhe në familjen tënde. Do të keni disa keqkuptime. Pra e vendosim atë në atë kategori”, tha ai.

Princi i Kurorës tha se Rijadi ka paguar për të gjitha armët e blera nga SHBA-të. “Ne nuk do të paguajmë asgjë për sigurinë tonë. Ne besojmë se të gjitha armatimet që kemi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës paguhen, nuk është armatim pa pagesë”, tha ai.

Sipas tij, që kur filluan marrëdhëniet midis Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë blerë gjithçka me para.

Ai theksoi se marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe SHBA-ve janë të mira, duke thënë se “nëse shikoni fotografinë në përgjithësi, ju keni 99 për qind gjërave të mira dhe një çështje të keqe”.

Për konfliktin katërvjeçar në Jemen, bin Salman shfaqi shpresën për të arritur një zgjidhje për krizën në vendin fqinj arab. “Shpresojmë se do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne nuk na duhet kjo në kufirin tonë, “tha ai.

“Nuk duhet të kemi edhe një Hezbollah të ri në Gadishullin Arabik. Kjo është një vijë e kuqe jo vetëm për Arabinë Saudite, por për të gjithë botën. Askush nuk dëshiron të ketë Hezbollahun në një ngushticë përmes të cilës kalon rreth 15 për qind e tregtisë botërore. Ne do të vazhdojmë t’u ushtrojmë presion atyre. Shpresojmë që ata të përgatiten sa më shpejt që të jetë e mundur për të pasur negociata dhe për të pasur një marrëveshje”, tha bin Salman.

Në vitin 2015, Arabia Saudite dhe disa aleatë arabë nisën një fushatë masive ajrore kundër rebelëve shiitë Houthi, të cilët morën shumë territor në Jemen, përfshirë kryeqytetin Sana, një vit më parë.