Sarri nuk e di nëse Higuan do t’i bashkohet Chelseat

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, nuk ka pranuar ta konfirmojë apo mohojë mundësinë e transferimit të Gonzalo Higuainit, pasi që ka thënë se drejtuesit e dinë se çfarë dëshiron ai dhe se nuk është duke humbur energji për transferime.

Sky Sport Italia raportoi se Higuaini, i cili është i huazuar nga Juventusi në Milan, ka arritur marrëveshje për t’u transferua në Chelsea deri në fund të sezonit, kur londinezët do ta kenë mundësinë për ta blerë argjentinasin.

Mirëpo ky transferim varet nga Alvaro Morata. Nëse sulmuesi spanjoll arrin të transferohet nga Chelsea në ndonjë klub tjetër, me më së shumti gjasa Atletico Madridi, atëherë Higuaini do të bashkohet me ish-trajnerin e tij në Napoli, Sarrin.

“Nuk e di. Dua të jem i qartë sepse unë nuk mund të iu ndihmoj. Unë kam biseduar me [drejtoreshën e Chelseat] Marina [Granovskaia] para dy jave dhe ajo e di mendimin tim si dua ta përmirësoj ekipin”.

“Pas atij takimi, unë vendosa që të përqendrohem në fushë, në ndeshje dhe në stërvitje. Tani kam më shumë besim sepse e di se Marina është duke punuar shumë, por nuk di asgjë më shumë sepse dua të përqendrohem në ndeshje”.

“Nuk e thërras atë çdo mbrëmje, përndryshe unë do të isha duke e shpenzuar të gjithë energjinë time mendore në afatin kalimtar. Mendoj se është më mirë për klubin nëse e shpenzoj këtë energji në fushë”.