Sapphire në përgatitje të dy modeleve Radeon Navi për fillimin e korrikut

Sipas menaxherit të PR për Sapphire, në një intervistë me mediat kineze, AMD është në përgatitje të dy kartelave grafike Navi: variantin prej 399 dollarësh i cili do të garojë me modelin GeForce RTX 2060, dhe modeli prej 499 dollarësh, si alternativë për RTX 2070.

Intervista gjithashtu i zbuloi disa detaje rreth arkitekturës së Navi. Sipas të njëjtit zyrtar të Sapphire, nuk do të ketë mbështetje për ray-tracing në nivelin harduerik. Ky mund të jetë një faktor i rëndësishëm në krahasimin e kartelave grafike GeForce dhe Radeon në të njëjtin nivel të çmimeve.

Gjithashtu, sugjerohet se data e lansimit të GPU-së Navi do të jetë 7 korriku, ndërsa prezantimi dhe demoja e parë pritet gjatë Computexit më 27 maj, shkruan KOHA Ditore.

Navi si duket do ta trashëgojë arkitekturën Polaris në segmentin e mesëm dhe të lartë të tregut, ndërsa për entuziastët e ka lënë Radeon VII.