Samsung po vjen me më pak kamera për telefonat e mençur?

Samsung zakonisht i pajisë telefonat të rangut të mesëm me tre ose katër kamera. Megjithatë, duke filluar nga viti i ardhshëm, modelet e rangut të mesëm të kompanisë koreano-jugore mund të kenë një kamerë më pak.

Sipas raportimeve të mediave nga Koreja, Samsung ka vendosur të heqë kamerat me sensor thellësie nga telefonat e saj të rangut të mesëm. Raporti pretendon se Galaxy A24, Galaxy A34 dhe Galaxy A54 do të kenë secili nga tre kamera: kryesore, ultra të gjerë dhe makro

Galaxy A24 mund të ketë një kamerë kryesore 50MP, një kamerë ultra të gjerë 8MP dhe një makro 5MP. Galaxy A34 thuhet se do të ketë një kamerë kryesore 48MP, 8MP ultra të gjerë dhe makro 5MP.

Në mënyrë të pazakontë, raporti përmend se Galaxy A54 do të ketë një kamerë kryesore 50MP, një kamerë ultra të gjerë 5MP dhe një kamerë makro 5MP. Besohet se është një gabim shtypi në lidhje me rezolucionin e kamerës ultra të gjerë, e cila është më e ulët se ajo e modeleve Galaxy A24 dhe Galaxy A34.

Besohet se kjo lëvizje e Samsung, kur bëhet fjalë për kamerat, është bërë me qëllim që të fokusohet tek kamerat e mbetura dhe të zvogëlohen kostot e gjeneruara nga kamerat e thellësisë.

Kompania koreano-jugore tashmë ka filluar të ofrojë OIS në telefonat e saj të rangut të mesëm, kështu që besohet se së shpejti do të vendosë kamera telefoto në modelet e saj të rangut të mesëm. /Telegrafi/