Samiti i europianëve në Moldavi nën “hijen” e Putinit, çfarë pritet të diskutohet

Gati 50 liderë europianë po takohen sot në Moldavi, një vend i vogël fqinj me Ukrainën, i cili gjithashtu po jeton me frikën e Rusisë, për t’i dërguar një mesazh uniteti Vladimir Putinit.

Krerët e shteteve dhe qeverive të 47 vendeve do të takohen në Kështjellën Mimi në fshatin Bulboatsa, 35 kilometra larg kryeqytetit Kishinau. Liderët pritet të diskutojnë çështje të mëdha, por gjithashtu do të kenë mundësinë të bisedojnë për çështje të tjera privatisht ose në grupe më të vogla, pa kufizimet dhe ritualet e vizitave zyrtare dhe protokolleve të tyre.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Moldavi mëngjesin e sotëm për të marrë pjesë në seancën e dytë të Komunitetit Politik Europian, ku marrin pjesë pothuajse 50 liderë europianë, ku do të ketë disa takime dypalëshe, raporton abcnews.al.

Zelensky, prania e të cilit nuk ishte konfirmuar paraprakisht, ishte lideri i parë që u mirëprit në tapetin e kuq nga presidentja moldave Maya Sandu.

Presidenti ukrainas ka treguar se po punon për të siguruar mbështetjen e një aleance forcash, e cila do t’i sigurojnë avionë luftarakë  vendit të tij për të zmbrapsur forcat ruse. Ai shtoi gjithashtu se gjatë seancës do të diskutohet plani i paqes ukrainas si dhe ambiciet e Kievit për anëtarësim në NATO dhe BE.

Në vend të kësaj, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili u rizgjodh të dielën, nuk do të marrë pjesë, sipas burimeve diplomatike. Ashtu si gjatë seancës së parë të mbajtur në tetor në Pragë, Komuniteti Politik Europian do të ofrojë mundësinë për një “foto familjare”.

Në këtë samit do të marrin pjesë vende me profile dhe rrugë shumë të ndryshme: Armenia, Islanda, Norvegjia, Zvicra, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Serbia, Azerbajxhani.

Për Moldavinë është mundësia të përsërisë dëshirën e saj për t’u anëtarësuar në BE.

“Prania e të gjithë këtyre liderëve në vendin tonë dërgon një mesazh të qartë: Moldavia nuk është e vetme”, tha dje presidentja Maya Sandu.

“Vendi i Moldavisë është brenda Bashkimit Europian,” këmbënguli ajo.

Presidentja mori një mesazh inkurajimi nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, e cila vlerësoi “përparimin e madh” të vendit në reformat e tij.

Çështja e anëtarësimit është ngritur urgjentisht edhe për Ukrainën, një pjesë e së cilës është nën pushtimin rus. Ajo mori statusin zyrtar të vendit kandidat në të njëjtën kohë me Moldavinë, në qershor 2022. Por rruga është ende e gjatë.

Emmanuel Macron i bëri thirrje BE-së të rishikojë qeverisjen e saj dhe të “gjejë mënyra” për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave.

Udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu sigurinë e Ukrainës sot ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s takohen në Oslo për t’iu përgjigjur kërkesës së Kievit për t’u bashkuar me aleancën Atlantike.

Komuniteti Politik Europian do të ofrojë një mundësi për disa diskutime dypalëshe ose të kufizuara ndërmjet liderëve. Kjo mund të ndihmojë në zbutjen e tensioneve në Kosovë, ku shpëthyen protestat  fundjavën e kaluar midis policisë dhe protestuesve serbë, raporton abcnews.al.

Presidenti francez shprehu dëshirën që sot të takohet me presidenten e Kosovës, presidentin serb dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz. Ai gjithashtu foli për “përgjegjësinë e autoriteteve kosovare” pas përleshjeve që shkaktuan plagosjen e 30 ushtarëve të forcave të NATO-s.

Serbët bojkotuan zgjedhjet komunale të prillit në katër komuna, të cilat çuan në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë me një pjesëmarrje prej më pak se 3.5%.

Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit, të cilët janë në bisedime për t’i dhënë fund konfliktit të tyre, do të takohen gjithashtu në takimin e organizuar me Emmanuel Macron, Olaf Solz dhe presidentin e  Këshillit Europian Charles Michel.

Jerevani dhe Baku janë përplasur për dekada për kontrollin e enklavës azere të Nagorno-Karabakut të populluar kryesisht nga armenët.