Kompania që ka marrë tenderë mbi 8 milionë euro në Prishtinë, “Sallahu” do të përballet me organet e drejtësisë. Kjo, pasi që ndaj pronarëve të kësaj kompanie, Lulzim dhe Naim Sallahu, është ngritur aktakuzë.
Vëllezërit nga Kaçaniku akuzohen për falsifikim të dokumenteve për tenderë.
Komuna e Prishtinës i dha tender kompanisë “Sallahu” për ndërtimin e Rrugës A, apo siç njihet zyrtarisht rruga “Jim Xhema”, mirëpo Gjykata Komerciale e bllokoi atë për shkak të dyshimeve për dallavere në këtë tender.
AVONET, OJQ me seli në Ferizaj, kishte njoftuar se gjatë hulumtimit kishte identifikuar se dokumentacioni (dosja) e ofertës së OE “Sallahu” në aktivitetin e prokurimit të projektit me titullin: “Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë” tregon qartë se z. Naim Sallahu është zyrtar i OE “Sallahu” Sh.p.k, duke figuruar në listat e pagave dhe deklarimeve vjetore për tatimin në të ardhurat e korporatave, dhe në noterizimin e certifikatës ISO dhe poashtu ai ishte prezent edhe në fillimet e punimeve në këtë rrugë.
“Gjatë hulumtimit të dokumenteve në dosjen e tenderit kemi identifikuar se në dosjen e tenderit ka kontrata të realizuara, referenca të inxhinierëve, udhëheqësit të punishtes, që mbajnë firmën e Naim Sallahut, këto kontrata dhe referenca kanë qenë kërkesa konkrete për të plotësuar kriteret e dosjes së tenderit në këtë aktivitet prokurimi, e që AVONET ka konsideruar dhe konsideron se këto dokumente kanë qenë bazë për të plotësuar kushtin e drejtës (kriterit) për të ofertuar. Gjithashtu, AVONET kishte njoftuar Komunën e Prishtinës, të udhëhequr nga z. Rama se përfaqësuesi i OE “Sallahu” Sh.p.k, z. Lulzim Sallahu ka nënshkruar deklaratën nën betim, në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike, me anë të këtij deklarimin nën betim të nënshkruar nga drejtori i OE “Sallahu” Sh.p.k, Lulzim Sallahu, AVONET dyshonte dhe dyshon se subjekti në fjalë ka mashtruar Autoritetin Kontraktues në këtë rast Komunën e Prishtinës, duke vënë nën lajthitje dhe mashtrim, e që kjo sipas gjykimit të AVONET dëshmon në mënyrë të qartë se personi në fjalë ka konsumuar elementet veprave penale nga neni 415 (Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik) dhe nga neni Neni 383 (Deklarimi i rremë nën betim) i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
AVONET kishte shprehur shqetësim për praktikat e tilla, të cilat krijojnë precedente jashtëzakonisht të dëmshme në fushën e prokurimit dhe kishte kërkuar veprime konkrete nga autoritetet relevante, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës për të ndërmarrë masa të nevojshme për të siguruar transparencën dhe integritetin e procesit të prokurimit publik në Kosovë, pasi me këto veprime dhe mosveprime nga ana e Zyrtarit Kryesor Administrativ të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama po dëmton taksat e qytetarëve të Komunës së Prishtinës dhe Republikës së Kosovës.
Gjykata Komerciale e Prishtinës ka vendosur që të pezullohet ndërtimi i Rrugës A, pas ankesës që e ka bërë kompania “Pro & CO Group” kundër operatorit ekonomik “Sallahu” i cili e kishte fituar tenderin milionësh.

Ballkani.info e kishte siguruar ekskluzivisht vendimin e Gjykatës Komerciale.
Vendimi i nxjerrë më 17 tetor thotë se “Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedural është më se i duhur që të ruhet interesi publik”, saktëson vendimi i Komerciales të cilin e ka siguruara Ballkani.info.
“Kjo pasi Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke e shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu SHPK Drejtori i të cilës është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.
Çka përmban aktakuza e ngritur javën e kaluar nga Prokuroria Speciale?
Prokuroria Speciale këtë javën që shkoi ka ngritur aktakuzë kundër Lulzim Sallahut (pronar aksionar 100% i kompanisë) dhe ndaj Naim Sallahut. Akuza: falsifikim i dokumenteve.
Edhe në këtë aktakuzë, vërehet dora e njëjtë: falsifikim i dokumenteve të inxhinierëve që do të punonin në projektin, për çka ishte shpallur tenderi.
“Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, me vetëdije, me qëllim të mashtrimit si dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e Autoritetit Kontraktues, ashtu që kompania e tij “SA Sallahu” sh.p.k, të shpallej fituese e kontratës për projektin në fjalë, kishte paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme, sikurse janë: CV-të dhe referencat në emër të N.M, I.F, B.K., dhe L.G.”, thuhet në aktakuzë.
“SA Sallahu” sh.p.k megjithëse, sipas Prokurorisë Speciale, aplikoi me dokumente të falsifikuara, nuk e fitoi këtë tender, që në shpallje ishte planifikuar si tender i madh prej mbi 17 milionë eurosh, kurse në fund përfundoi duke u fituar nga dy kompani krejt tjera.
Këtë tender, për të cilin është ngritur aktakuzë kundër Lulzim e Naim Sallahut një pjesë e fitoi konzorciumi i kompanive të drejtuara nga “Ekskavatori” me mbi 7.8 milionë euro, kurse pjesën tjetër “Papenburgu” me mbi 6.6 milionë euro.
Edhe pse atë kohë nuk e fitoi këtë tender milionësh, sipas Prokurorisë kishte aplikuar me dokumente të falsifikuara, Komuna e Prishtinës ia dha projektin e “Rruga A”, një tender mbi 8 milionë euro.
Historia e “Sallahut” me falsifikim dokumentesh
Në dhjetor të vitit 2020 ishte raportuar hulumtimi për një tender mbi 2 milionë euro në komunën e Vitisë, ku kompania “Sallahu” dyshohej se kishte falsifikuar dokumentet, e futur emra të inxhinierëve, në një rast edhe pa qenë fare ata në dijeni.
I tillë ishte rasti i inxhinierit të gjeodezisë, Selim Berisha. Ai kishte deklaruar atëherë se nuk është në dijeni për para-kontratën e nënshkruar në emër të tij dhe kompanisë “Sallahu” dhe se nuk ka bashkëpunuar asnjëherë me këtë firmë.
“Thënë shkurt: kompania ka keqpërdorur diplomën dhe nënshkrimin tim”, pati thënë inxhinieri Selim Berisha.
Për të plotësuar kërkesat sipas Dosjes së Tenderit, e cila parashihte angazhimin e dy inxhinierëve të gjeodezisë për përfitimin e kontratës së rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik, kompania “Sallahu” Sh.p.k. dyshohet për përfshirje në shkelje ligjore në bashkëpunim me Fadil Shehun, një inxhinierë të gjeodozisë të punësuar në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenci”.
Fadil Shehu ishte gjeodet i punësuar në kompaninë rajonale “Ibër-Lepenci”. Ai ishte gjeodet i licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, por licenca e tij është e limituar vetëm për nevojat e “Ibër-Lepencit”.
Megjithatë, Fadil Shehu dhe kompania “Sallahu” Sh.p.k. patën lidhur kontratë mbi vepër për angazhimin e inxhinierit të gjeodozisë për përfitimin e kontratës publike në Komunën e Vitisë.
Në kohën kur “SA Sallahu” sh.p.k po aplikonte për të marrë tenderin e madh “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, për çka Prokuroria Speciale veç ka ngritur aktakuzë kundër Lulzim e Naim Sallahut për falsifikim, ky i fundit veçse kishte një vendim të Gjyqit që ishte shpallur fajtor po për falsifikim.
Rasti për të cilin u dënua Naim Sallahu ishte po për një tender po në Ministrinë e Infrastrukturës, zgjerimi i rrugës Gjurgjicë-Kijevë, ku ai kishte paraqitur dokument të rrem që nuk kishte obligime të pakryera në Administratën Tatimore. Kishte paraqitur edhe që i ka 50 punëtorë, kur i kishte vetëm 29.
Organizata jo-qeveritare AVONET në atë kohë e pati denoncuar këtë kompani në Prokurorinë e Shtetit duke ua dërguar prokurorëve edh evendimin për dënim, me çka sipas Ligjit të Prokurimit i ndalohej pjesëmarrja kësaj firme në tenderë publik për 10 vite, por edhe se si e njëjta firmë po vazhdonte në atë kohë, 2021 kishte aplikuar në dhjetëra tenderë në nivel qendror e nëpër komuna.







