Salla koncertale në dorën e BE-së, në objektin e ish-Gërmisë ose te Kampusi i UP-së

Propozimi për ndërtimin e sallës koncertale në ish-objektin e shtëpisë së mallrave “Gërmia”, në sheshin e kryeqytetit zgjoi pakënaqësi te një pjesë e qytetarëve dhe organizatave të ndryshme, që nisën një peticion për ta ndaluar këtë veprim.

Ani pse ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e vendosi këtë objekt në listën e Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme, para disa ditësh, Qeveria vendosi ta shpronësojë Administratën Tatimore nga ky objekt, për ta liruar për ndërtimin e sallës koncertale.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se e morën këtë vendim meqenëse Bashkimi Evropian investoi një shumë të madhe aty.

Ndërsa organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHëB) shndërrimin e këtij objekti në një sallë koncertale nuk po e sheh si zgjidhje të duhur.

Drejtori i kësaj organizate, Sali Shoshi, deklaron për KosovaPress se ky objekt do të ishte më i përshtatshëm për një muze bashkëkohor.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe arkitekti Ilir Gjinolli.

Ai thotë për KosovaPress se salla koncertale duhet të ndërtohet diku tjetër.

Sipas tij, nëse do të bëhet sallë koncertale, do të nevojiteshin shumë intervenime në këtë objekt.

Si lokacion të përshtatshëm për sallën koncertale, ndër të tjerash, ai propozon hapësirën mes Pallatit të shtypit.

Ndërkaq, drejtori i Kulturës për komunën e Prishtinës, Yll Rugova thotë se komuna e ka të qartë porosinë e qytetarëve, andaj janë duke kërkuar për një zgjidhje të përbashkët.

Përndryshe, ish-shtëpia e mallrave “Gërmia”, e ndërtuar në vitet e 70-ta, ndodhet në qendër të qytetit dhe konsiderohet si një ndër ndërtesat më ikonike të modernizmit në Prishtinë.