Prishtinë

Salla koncertale, arkitektët akuzojnë Komunën e Prishtinës për mos gjetjen e lokacionit

Mos pajtimet për lokacionin e Sallës Koncertale dhe rrënimin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” po vazhdojnë edhe në mesin e arkitektëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Me qëllim të gjetjes së zgjidhjes më të mirë për këtë çështje, Asociacioni i Arkitektëve te Kosovës organizoi këtë pasdite diskutim profesional për Sallën Koncertale, ku u parashtruan ide se cili është lokacioni më i përshtatshëm për një sallë të tillë.

Kryetari i Shoqatës të Arkitektëve të Kosovës, Astrit Nixha tha se janë duke diskutuar për të gjetur një zgjidhje më të mirë për sallën koncertale.

E këtë nuk e mohoi drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, i cili pranoi se ka pasur ‘çalime’ në këtë aspekt.

Ai u shpreh edhe lidhur me lokacionin që sipas tij duhet ta ketë salla koncertale. E sipas tij, “Gërmia” ka qenë lokacioni më i përshtatshëm sipas komunës së Prishtinës, ndërsa ai personalisht ka qenë kundër rrënimit të objektit në fjalë.

Ndërsa profesori i jashtëm në Departamentin e Filozofisë,  Astrit Salihu e quajti të vonuar debatin për ndërtimin e kësaj salle. Ai tha se nuk është as ‘kundër’ e as ‘për’ rrënimin e ish-objektit të Shtëpisë së Mallrave.

Arkitekti Ilir Gjinolli tha se lokacioni më i mirë për sallën koncertale është Pallati i Shtypit, pasi është lokacion i hapur dhe nuk ka pengesa vizuale. Ai tha se Komunës së Prishtinës i mungojnë arkitektët, dhe kjo sipas tij është arsyeja se pse ka ardhur çështja deri në këtë fazë.

Ndërsa muzikanti Ilir Bajri tha se ajo që mungon më së shumti është analiza, e cila do të përcaktojë më së miri se sa ulëse duhet t’i ketë salla. Sipas tij, një prej problemeve bazike është komunikimi shumë i dobët me komunitetin muzikor.