Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Sala Jashari, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po trajtohet çështja e mbrojtjes së viktimave të luftës, duke e cilësuar të papranueshme mungesën e prioritetit për këtë temë në institucionet shtetërore.
Në një reagim publik, Jashari theksoi se dinjiteti i viktimave nuk mund të lihet në rend të dytë përballë agjendave të tjera politike.
Ajo ngriti shqetësimin për mungesën e trajtimit serioz të kësaj çështjeje në Kuvend, veçanërisht në kontekstin e një kërkese për rezolutë, ku sipas saj nuk iu dha hapësira e nevojshme për diskutim.
Deputetja e konsideroi situatën si një “dështim institucional”, duke kritikuar faktin që projekte të caktuara kalojnë nëpër procedura zyrtare, marrin mbështetje dhe financim, por dështojnë në verifikimin bazik të përmbajtjes.
“Kjo ngre një pyetje të drejtpërdrejtë: ku ishte përgjegjësia?”, theksoi ajo.
Duke vënë theksin te rëndësia e historisë, Jashari deklaroi se shtrembërimi i saj rrezikon orientimin e shoqërisë. Sipas saj, Kosova është ndërtuar mbi sakrificë dhe luftë për liri, dhe kjo trashëgimi duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë institucionale. Ajo bëri thirrje për unitet moral dhe shtetëror në mbrojtje të së vërtetës historike, duke kërkuar që asnjë individ apo organizatë të mos lejohet të keqinterpretojë ngjarjet që kanë ndërtuar shtetin e Kosovës.
Jashari rikujtoi gjithashtu se Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës, i vitit 2018, vazhdon të mbetet pa u trajtuar, duke theksuar nevojën urgjente për miratimin e tij dhe për krijimin e një muzeu të historisë në Prishtinë. Në fund, ajo nënvizoi se edukimi i brezave të rinj duhet të bazohet në njohjen e historisë kombëtare, duke përfshirë luftën e UÇK-së dhe figurat që kontribuuan në ndërtimin e shtetit. Sipas saj, kjo është një përgjegjësi që nuk duhet t’i lihet rastësisë, por të udhëhiqet nga shteti.







