Komuna e Prishtinës

Sahatçiu e lidh shkarkimin e Musliut me këmbimin e pronave në Badoc

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu nga kryetari Përparim Rama e ka ndërlidhur me kundërshtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për këmbimin e pronave komunale me ato private në Badoc.

Sahatçiu në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër.

Postimi i plotë:

Revanshi i Përparim Ramës ka emër: Badovc

Ilirik Musliu ka qenë motorri i qeverisjes së mirë të PDK në Prishtinë. Me Ilirik Musliun, problemi i mbeturinave as nuk ka fillu e as nuk ka pasë mundësi me u mbyll. Ky është problemi më kompleks i Kryeqytetit, e për këtë kemi shumë për të thënë.

Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz. Njejtë, Përparim Rama, si Zyrtar Kryesor Administrativ, ka mundur të jep urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullojë menaxhimin e mbeturinave, pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e din ai vetë.

Shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër. Na duket si revash politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale.

Ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik.

Më 2 shkurt 2022 me Ilirikun i’u bashkuam qeverisjes në Prishtinë. Më 2 shkurt 2024, Përparim Rama filloi revanshin publik.

VIDEO BONUS: Keqpërdorime në njësinë për patentë shoferë në Pejë, Durmishi paralajmëron anulimin e provimeve