Sadriu: Ka fshatra ku imami paguhet 1500 euro

Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu ka thënë se nëse punëtorët e Bashkësisë Islame pajtohen që një udhëheqës të vazhdojë të ushtrojë detyrën asgjë nuk ka të keqe këtu.

Ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se edhe para Naim Tërnavës, BIK-u ka pasur myfti që ka udhëhequr institucionin për 20 vite.

“Duhet të kuptoj opinioni se kemi të bëjmë me një institucion fetar e jo ndonjë institucion tjetër. Edhe më herët ne kemi pasur dikë që ka qëndruar në pozitën e të parit të BIK-ut për 20 vite”.

Sadriu ka thënë se përzgjedhja e këshillave lokal bëhet në bazë të disa kritereve dhe kjo është një e drejtë e Kryesisë së BIK-ut.

“Ne punojmë në bazë të normativave tona. Zgjedhet këshilli lokal prej shtatë personave dhe në mesin e tyre zgjedhet kryetari nga Kryesia e BIK-ut. Kriter i zgjedhjes merret përvoja, angazhimi, autoriteti dhe disa gjëra tjera”, tha ai.

Zëdhënësi i BIK-ut ka folur edhe sistemin e pagesave të anëtarësisë që funksionon në kuadër të institucionit.

“Nga sistemi monist ka ekzistuar sistemi i anëtarësisë në BIK. Ne jemi të detyruar të veprojmë kështu pasi nuk paguhemi nga shteti”.

Sadriu ka thënë se BIK-u po ka problem në centralizimin e sistemit të anëtarësisë në BIK.

“Kemi problem me fshatrat e mëdha, dhe aty imami ka një pagë deri në 1500 euro ndërsa ka edhe fshatra të vogla që imamët paguhen shumë pak. Por fshatrat e mëdha po shkaktojnë problemë dhe nuk e duan centralizimin, pasi nëse ai fshat hynë në këtë sistem, paga e tij mundë ti përgjysmohet prandaj ata po kundërshtojnë këtë sistem”, deklaroi ndër të tjera Sadriu.