Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, ka bërë të ditur se ai vendosi që të mos e përfshijë Eden Hazardin në formacionin e parë për ndeshjen e mbrëmshme gjysmëfinale të Ligës së Evropës, për shkak se belgu ka luajtur shumë ndeshje gjatë kohës së fundit dhe është i lodhur.

“The Blue” ishin mjaft mbresëlënës përkundër që nuk arritën ta fitojnë përballjen kundër Eintracht Frankfurtit, për shkak të golit me kokë të Luka Jovicit.22 minuta pas këtij goli, disa momente para se të përfundonte pjesa e parë, Pedro e barazoi rezultatin.

Hazardi u aktivizua në lojë në minutën e 61-të, pasi Chelsea dëshironte ta merrte në kontroll ndeshjen, në mënyrë që ta marrë me vetë një rezultat sa më të mirë për ndeshjen kthyese, që zhvillohet javën e ardhshme në “Stamford Bridge”.

Pas ndeshjes, Sarri sqaroi se shqetësimi i tij për lodhjen fizike të Hazardit – që ka luajtur në shumicën e ndeshjeve edhe për Chelsea, edhe për ekipin kombëtar të Belgjikës – ishte arsyeja pse ai vendosi ta lë belgut në stol.

“Eden ishte në stol sepse, gjatë periudhës së fundit, ai la luajtur në dhjetë ndeshje radhazi. Është e pamundur të luash aq shumë. Për ne, kjo ishte ndeshja e 59-të dhe Hazardi i ka luajtur edhe tetë ndeshje për ekipin kombëtar”, ka thënë Sarri.

“Për një lojtar, është e pamundur t’i luash 70-75 ndeshje brenda sezonit. Kështu që, nganjëherë, Hazardit, si të gjithë lojtarëve të tjerë, i nevojitet pushim. Ose më mirë të mos them pushim, por të mos luajë 90 minuta”.