Sa vota mori Shemsedin Dreshaj që do të bëhet deputet pas tërheqjes së Daut Haradinaj

Infektologu Shemsedin Dreshaj iu bashkua Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e fundit.

Fillimisht, për Dreshajn u tha se nuk do të mund të garojë, derisa kjo dilemë u sqarua më vonë dhe Dreshajt iu besua numri 2 në listën e Aleancës.

Por, pavarësisht se mbante numrin 2 në listën e AAK-së, Dreshaj mbeti jashtë Kuvendit të Kosovës, duke mos siguruar votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet në legjislaturën e re.

Votat për t’u bërë deputet i siguruan Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Pal Lekaj, Albena Reshitaj dhe Albana Bytyqi.

Dreshaj ndërkaq kishte marrë 6 mijë e 463 vota.

Mirëpo, mbrëmë ish-shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e deputetit, duke thënë se po ia jep një shancë për t’u bërë deputet infektologut Dreshaj.

“Tash ne rrethanat e reja që jemi, do heqë dorë nga ky mandat për t’i krijuar hapësirë Prof.Dr Shemsedin Dreshajt të jetë deputet, dhe për të pasur mundësi kohore që të jem më prezent nëpër komunat tona edhe për faktin se do kemi zgjedhje në këtë vjeshtë. Po ma kërkon struktura angazhimin në terren dhe nuk dua t’a bëj punën në terren në dëm të mandatit të popullit”, ka shkruar Haradinaj.

Këto komente i njëjti i bëri përmes një shkrimi në Facebook.

Haradinaj kishte marrë 13 mijë e 769 vota në këto zgjedhje dhe kishte qenë deptutet i Kuvendit për disa legjislatura.