Të dielën mbushen plot dy dekada nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s në Kosovë kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Sulmet e filluara më 24 mars 1999 kishin zgjatur gjithsej 78 ditë. Synimi i bombardimeve të NATO-s ishte ndalimi i gjenocidit serb që po ushtrohej mbi popullatën civile të Kosovës, ku nga vrasja e maltretimi nuk po kursehej askush, përkundrazi pareshtur po vriteshin e po masakroheshin gra, burra, pleq e fëmijë, shkruan “Zëri”.
Pas bombardimeve të NATO-së në qershor të vitit ’99, në Kosovë kishin hyrë rreth 50.000 trupa të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR. Ndërsa tash sipas Zyrës për Informim të KFOR-it, janë rreth 3500 trupa.
“Në vitin 1999 KFOR-i fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 burra dhe gra nga vendet anëtare të NATO-s, vendet partnere dhe vendet e tjera jashtë NATO-s, të cilët ishin nën komandë dhe nën kontroll të unifikuar. Ndërkaq sot në Kosovë ekzistojnë afërsisht 3500 trupa të NATO-s”, thuhet në përgjigjen dhënë “Zërit” nga Zyra për Informim e KFOR-it.
Ndërsa, sipas tyre, misioni paqeruajtës do të vazhdojë të qëndrojë ende në vend.
“KFOR-i dhe misioni ynë mbetet i pandryshuar, i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne jemi për të mbajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe kjo është ajo që po bëjmë. Nuk kemi plane për ta reduktuar praninë e trupave të NATO-s ose të misionit të KFOR-it në Kosovë”, thuhet më tej në përgjigje./







