Sa po paguan Samsung për të prodhuar telefonin Galaxy S23 Ultra?

Analiza e fundit nga Counterpoint Research thotë se Samsung po paguan 469 dollarë për variantin e nivelit fillestar të telefonit Galaxy S23 Ultra.

Pjesa më e madhe e kësaj shume shkon për procesorin e Qualcomm, komponentët e lidhjes celulare dhe ekranin, transmeton Telegrafi.

Për të prodhuar S23 Ultra me 8 GB RAM dhe 256 GB memorie të brendshme, si dhe lidhje nën 6 GHz 5G, Samsung po paguan 469 dollarë.

Të paktën kështu thekson Counterpoint Research në analizën e tij të fundit, duke vënë në dukje se 35 për qind e çmimit të prodhimit paguhet për Snapdragon Gen 2 të Qualcomm për Galaxy SoC, si dhe për komponentët e nevojshëm për lidhjen celulare.

18 për qind e çmimit shkon për ekranin LTPO të Samsung, ndërsa për një sistem prej gjithsej pesë kamerash duhet të ndahet 14 për qind e sasisë së prodhimit. Derisa 11 për qind shkon në memorie, 8% në kornizë, ndërsa pjesët e mbetura përbëjnë 15 për qind të çmimit.

Kujtojmë se në çmimin prej 469 dollarë nuk përfshihen kostot e tjera, të tilla si kërkimi i tregut, zhvillimi i produktit, marketingu, logjistika, mbështetja e klientit dhe të ngjashme. Çmimi i prodhimit rritet edhe për variantin me 12 GB RAM dhe 512 GB memorie të brendshme.

Siç raportohet nga GSM Arena, nuk dihet se sa kushtoi prodhimi i modelit Ultra të vitit të kaluar, por nga të dhënat më të vjetra nga Counterpoint Research mund të konstatohet se modeli fillestar S21 Ultra kushtoi 533 dollarë dhe Galaxy Note 20 Ultra 550 dollarë. Të dy variantet u konfiguruan me çipa Qualcomm, të shoqëruar me 8 GB RAM dhe 128 GB memorie të brendshme.

Ndryshe, çmimi i rekomanduar me pakicë për versionin fillestar të telefonit Galaxy S23 Ultra është rreth 1,450 euro. Për versionin më të fortë me 12 GB RAM dhe 512 GB memorie, duhet të ndani rreth 1.640 euro, ndërsa versioni më i fortë me 1 TB hapësirë ​​ruajtëse kushton rreth 1.880 euro.