Sa ka rëndësi virgjiniteti tek të rinjtë në Kosovë? – mësoni përgjigjjen

Në studimin “Rinia e Kosovës”, 2018- 2019 i realizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert dhe Instituti i Hulumtimeve IDRA Research and Consulting, temë diskutimi ka qenë edhe jeta seksuale e të rinjve në Kosovë.

Nga të anketuarit është përmendur se virgjëria është çështje dinjiteti për të dy gjinitë; kjo është çfarë besojnë 37% e tyre, ndërsa 23% theksojnë se është çështje dinjiteti, sidomos për vajzat. Të rinjtë në zonat rurale janë më konservator për virgjërinë.

Nga gjithsej 1000 të anketuar, 610 në zonën rurale dhe 390 në zonën urbane në përqindje janë shprehur se 37 për qind e shohin si vlerë virgjërinë për të dyja gjinitë. Përderisa, 23% e të anketuarve nga zona rurale janë shprehur se e shohin si vlerë vetëm për vajzat, përqindja nuk ka qenë më ndryshe në zonën urbane 22% thonë se virgjëria është virtyt për femrat.

“Nga ky anketim 17% e të rinjve kanë refuzuar të flasin për virgjërinë deri në martesë. Për më tepër, të rinjtë që marrin pjesë shpesh në shërbime fetare janë më të prirur të mendojnë për moskryerjen e marrëdhënieve seksuale përpara martesës”, thuhet në hulumtimin Studimi për Rininë – Kosovë. 2018/2019.

Në anën tjetër, vetëm 46.2 për qind e të rinjve kanë konfirmuar se nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale. Sipas, këtij hulumtimi përvoja seksuale është më mbizotëruese tek meshkujt se sa femrat. Kontraceptivët përdorën nga 40 për qind e të rinjve që kanë pasur eksperienca seksuale.

Ky hulumtim është bazuar në vlerat, qëndrimet, opinionet, brengat dhe perspektivat e të të rinjve të Kosovës, ku të anketuar janë 1200 të rinj në gjithë Kosovën, të moshës 14 deri në 29 vjeç.