Sa janë gjasat reale për liberalizmin e vizave në vjeshtë?

Sot për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u hapën negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, Kosova është në pritje të liberalizmit të vizave, ndonëse i ka përmbushur kushtet teknike për një gjë të tillë.

Analisti, Dritëro Arifi tha se ekziston një momentum pozitiv për Ballkanin Perëndimor e në një momentum të tillë është edhe Kosova duke konsideruar se mund të ketë një hap pozitiv sa i përket heqjes së vizave.

“Por a do të ndodh në vjeshtë apo në fund të vitit nuk mund ta themi ne sepse nuk varet nga ne , por ajo çka mund ta vërejmë edhe nga deklaratat e shumë zyrtarëve ë Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare është që janë pjekur kushtet edhe politikisht sepse ato teknike janë mbushur para 5 vjetëve por këto politikisht janë pjekur rrethanat që edhe Kosova të lëvizë e lirë nëse jo në vjeshtë të paktën në fund të vitit të paktën të merret një vendim pozitiv sa i përket kësaj”, tha ai.

Në anën tjetër politologu, Dorajet Imeri nuk u shpreh edhe aq optimist se një gjë e tillë mund të ndodh në vjeshtë.

“Çka dua të them është se jam pak optimist që mund të ndodh një gjë e tillë por samiti i fundit dha besim ndaj indikacionit që ndoshta gjatë presidencës çeke do të mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive kah vjeshta e këtij viti”, tha ai për portalin rtv21.tv

Çështjen e liberalizimit të vizave e cilësoi se ka hyrë në një sagë pa përfundim. Ai deklaroi se ky proces varet nga gatishmëria reale e Bashkimit Evropian edhe disa shteteve në veçanti që ta ofrojnë Kosovën drejt një zgjidhje fillimisht optimiste ndaj të ardhmes së saj evropiane

“ Liberalizmi i vizave është vetëm një hap i vogël për të mos thënë shumë i vogël drejt proceseve integruese. Imagjinoni pra Shqipëria dhe Maqedonia kanë qenë shtete të pavarura pa probleme të mëdha përjashtuar Maqedoninë dhe tash vetëm së fundmi kanë filluar procesin negociues për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian imagjinoni se çfarë kohe i duhet Kosovës që një ditë të jetë pjesë e kësaj strukture”, vlerësoi Imeri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani krahas urimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut u kanë bërë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të marrin vendim për liberalizmin e vizave për Kosovën. Një gjë të tillë e kërkuan edhe liderët e partive opozitare në Kosovë.