Me mbylljen e bastoreve, argëtuesit e lojërave të fatit i kanë kthyer sytë kah Lotaria e Kosovës.
Por, kjo Ndërmarrje Publike që është nën administrimin e Qeverisë së Kosovës nuk lëshon shuma të mëdha të parave për të fituar.
Shuma më e madh e lëshuar në dhjetë vitet e fundit nga Lotaria e Kosovës është 568,112.72 euro. Më pas shumat e mëdha të fituara kanë rënë shumë, por edhe ato nuk janë fituar shpesh.
Lojërat që luhen në Lotarinë e Kosovës janë Loto 7/39; Joker; Keno dhe Loto Instant.
Sipas lotarisë së Kosovës që nga viti 2010 ka pasur vetëm 4 persona që kanë marrë shuma të mëdha, në lojën e fituar me 7 të qëlluara.
Madje, këto shuma në 9 vitet e fundit janë fituar vetëm nga viti 2014 e këndej, pasi nga viti 2010, deri në 2014 nuk ka pasur fitues me 7 të qëlluara.
“Më 31.12.2014, një person ka fituar shumën 568,112.72 euro. Më 21.03.2015 – 70,000 euro. Me 22.10.2016 – 123,137.52 euro. Ndërsa, më 24.11.2018 – 151,271.96 euro”, ka bërë të ditur për lajmi.net Lotaria e Kosovës.
Sipas përgjigjes së Lotarisë së Kosovës, aktualisht fondi për 7 të qëlluara është 80,645.17 euro, ndërsa për Joker me 6 të qëlluara është 15,862.65 euro.
Lotaria e Kosovës i ka gjithsej 66 punëtorë.
Momentalisht numri i personave që kanë llogari online është rreth 1000. Ky numër ndryshon nga një xhiro në xhiron tjetër.
Zyra Kombëtare e Auditimit do të auditojë për herë të parë sivjet këtë ndërmarrje për pasqyrat financiare të vitit 2018. Këtë e kanë konfirmuar për lajmi.net zyrtarë të ZKA-së.
“Lotaria e Kosovës deri në prill të vitit 2017 ka qenë Ndërmarrje Shoqërore nën administrimin e AKP-së. Lidhur me arsyen e mos angazhimit të auditimit të jashtëm gjatë periudhës së administrimit nga AKP duhet t’i drejtoheni AKP-së. Për vitin 2018 Lotaria e Kosovës është në proces të auditimit nga ZKA dhe raporti do të publikohet në qershor 2019”, ka thënë për lajmi.net Qëndresa Mulaj, udhëheqëse e Kabinetit të Auditorit të Përgjithshëm.
Lotaria e Kosovës ka gjithsej 31 pika në tërë territorin e Kosovës.
Në Prishtinë – 9 pika, Vushtrri – 1, Mitrovice – 2, Skenderaj – 1, Kline – 1, Peje – 2, Gjakove – 1, Prizren – 3, Rahovec – 1, Shtime – 1, Lipjan – 1, Ferizaj – 2, Gjilan – 3, Podujeve – 1, Fushe Kosove -1 dhe në Istog – 1 pikë.
Ndërkohë, në gjiron e fundit ka pasur vetëm 17 fitues të shumës prej 36 eurove, ndërsa 456 fitues me nga 2 euro e 70 cent.







