Statistika

Sa fëmijë janë braktisur brenda katër viteve në Kosovë?

Braktisja e fëmijëve nga prindërit është bërë fenomen shqetësues për shoqërinë kosovare.

Rastet e tilla janë shtuar kohëve të fundit dhe arsyet zakonisht mbesin të paditura, shkruan Ballkani.info.

Braktisja e fëmijës nga prindi apo kujdestari ligjor, konsiderohet vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës.

Sipas Kodit Penal të Kosovës lidhur me keqtrajtimin dhe braktisjen e fëmijës (neni 211), “Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo personi tjetër që ushtron autoritet prindor mbi fëmijën i cili e keqtrajton fëmijën e tillë duke përdorur masa fizike a mentale apo e shkel detyrimin e vet për përkujdesje dhe edukim duke mos e përfillur fëmijën me pakujdesi të madhe dënohet me burgim prej tre muajve deri në tre vjet”.

Bazuar në vjetarin statistikor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga viti 2014 deri në vitin 2017, në Kosovë janë braktisur 157 fëmijë.

Në periudhën tre vjeçare, prej vitit 2014 deri 2017, sipas statistikave të QKUK-së, janë evidentuar 102 raste të refuzimit të fëmijëve nga prindërit. Por në 51 prej këtyre rasteve, njëri ose dy nga prindërit biologjik të fëmijës, i kanë rënë pishman dhe janë kthyer ta marrin fëmijën e tyre.

Punëtorët e rasteve sociale në QKUK, kishin pasur raste kur prindi ishte kthyer pas 10 viteve që ta kërkonte fëmijën e tij, transmeton Ballkani.info.

Kujtojmë se braktisjen e fëmijëve, më herët e kishin diskutuar edhe grupe punuese sociale, ku ndër arsyet e shumta të braktisjes së fëmijës, ishin theksuar edhe të ardhurat mujore që prindërit kanë. /Ballkani.info/