Naser Kabashi

Sa është Kosova e sigurt nga tërmetet?

Qytetarët e Malit të Zi në orët e hershme të mëngjesit i zgjoi një tërmet me magnitudë 5.4 ballë të shkallës Rihter.

Dridhjet u dëgjuan edhe në Kosovë.

Por Udhëheqësi i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa thotë që nuk ka vend për shqetësim sa i përket territorit të Kosovës.

“Sa i përket territorit të Kosovës në aspektin sizmik besoj që nuk ka vend për shqetësim sepse territori është në një zonë relativisht të lartë sizmike, që nuk është zonë e lartë sizmik sikur që janë vendet përreth si Shqipëria, Mali i zi, një pjesë e Maqedonisë dhe nuk ka vend për shqetësim fare”, shprehet Shemsi Mustafa.

Megjithatë, banorët në Prishtinë thonë që nuk ndihen të sigurte në rast të ndonjë tërmeti.

“Mendoj që shumë objekte janë duke u ndërtuar pa licenca të caktuara dhe pa infrastrukturë dhe pa testin e dridhjeve dhe qëndrueshmërisë, nuk e di sa bëhet dhe sa është i saktë”, thotë Muharrem Kasumi-qytetar.

“Sa e shohim pak a shumë nuk kemi siguri sepse ndërtimet qysh i shohim kohëve të fundit në Kosovë kanë gufu në atë kuptim si psh në mëngjes nuk e ke parë por të nesërmen në mbrëmje e ke parë që është ndërtu dmth kjo e ka pas atë fluksin e madh të ndërtimeve sa që mendoj që nuk pas dikush që ka mundur me i menaxhu”, shprehet qytetari Agon Dragusha.

Ndërsa profesori universitar, Naser Kabashi, tregon që kujdesi duhet të shtohet në mbikëqyrjen e ekzekutimit të punimeve.

“Cilësia e ndërtimeve mund të vlerësohet mesatarisht e mirë apo e njëjtë pothuajse me Rajonin. Në aspektin e përgjithshëm janë aplikuar të gjitha standardet të cilat kërkojnë në projektim por një prej parametrave që ka ngecje e që përherë po na përsëritet, duhet të jemi të kujdesshëm në mbikëqyrjen e ekzekutimit të punimeve”, shprehet profesori Kabashi.

Ndërkohë, në zonën e Pejës, Prizrenit dhe Gjilanit, sipas institutit të sizmologjisë ka pasur tërmete në të kaluarën, të cilat mund të përsëriten./Teve1