S-400: Çfarë bën arma që Rusia i shet Turqisë? (VIDEO)

Megjithë kërcënimet e SHBA Turqia blen sisteme moderne të mbrojtjes ajrore nga Rusia. Çfarë e bën këtë armë kaq të veçantë, që Ankaraja nuk përfill partnerët e NATO-s?

Ka gjasa të ndodhë në korrik. Ka shumë shenja se Turqia do të jetë anëtari i parë dhe i vetëm i NATO-s, që do të marrë sistemin modern rus të mbrojtjes ajrore, S-400. Apelet e qeverisë amerikane për të anuluar marrëveshjen prej 2.5 miliardë dollarësh me Rusinë duket se ishin të padobishme. Shqetësimi i Uashingtonit është: Moska do të spiunonte NATO-n përmes sistemeve të saj të armatimit. Në rradhë të parë kjo vlen të thuhet për avionët luftarakë amerikanë F-35 shitjen e të cilëve SHBA kërcënon ta ndalojë në Turqi.

Sistemi i mbrojtjes ajrore i tipit S-400: fleksibël dhe i lirë

S-400 “Triumph” (Nato-Codename SA-21 Growler) është një sistem i mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë dhe të mesme veprimi. Ky është modeli më i fuqishëm deri tani i një serie, që u zhvillua në Bashkimin Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore dhe u modernizua më vonë në Rusi. Numri 400 tregon rrezen maksimale të veprimit në kilometra. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë S-400 është shtylla kurrizore e mbrojtjes ajrore ruse. Ai u vendos në shërbim në vitin 2007. Që atëherë gjithnjë e më shumë njësi janë pajisur me të, duke përfshirë edhe gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë dhe enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Balltik.

S-400 përbëhet nga automjete të ndryshme, një qendër komandimi, stacione të lëvizshme radarësh dhe raketahedhës. Prodhuesi është ndërmarrja shtetërore e mbrojtjes “Almaz-Antey”, e cila për shkak të veprimeve të Rusisë kundër Ukrainës ndodhet në listat e sanksioneve, si në BE dhe në SHBA. S-400 është zhvilluar për të nisur avionë, raketa balistike taktike dhe drone në lartësi deri në 27 kilometra. Mediat ruse pretendojnë se ai është më i mirë se sa konkurrenca nga SHBA apo Franca.

“Rusët kanë qenë gjithmonë kryesues në teknologjinë e raketave”, konfirmon Richard Connolly nga Universiteti britanik i Birminghamit. “Arsyeja ka qenë se Perëndimi prodhon avionë më të mirë. S-400 është gjithashtu shumë fleksibël dhe mund të përdoret me lloje të ndryshme të raketave”. Një tjetër avantazh është çmimi. “S-400 është të paktën dy herë më të lirë se sistemi amerikan “Patriot”, thotë Connolly.

Por për blerjen mund të ketë edhe arsye politike. Fakti që S-400 është projektuar për përdorim kundër armëve amerikane, mund të jetë tërheqës për Turqinë, thotë eksperti britanik. Bëhet fjalë për raste të tilla si përpjekja për grusht shteti në vitin 2016, kur aeroplani presidencial u kërcënua nga avionët luftarakë F-16 të puçistëve. Eksperti ushtarak i Moskës Alexander Golts beson se blerja e S-400 është thjesht politike. “Turqia nuk ka armiq për të luftuar me S-400. Ky është një sinjal për SHBA dhe të tjerët, që Ankaraja ka një politikë të pavarur të mbrojtjes”, thotë Golts.

Hera e parë, lufta në Siri

Turqia do të ishte vendi i dytë pas Kinës, që merr S-400. India ka nënshkruar një kontratë prej 5 miliardë dhe pret dorëzimin. Disa shtete të Gjirit kanë sinjalizuar interes.

Por S-400 ka edhe disfavoret e veta, thonë ekspertët. “Ai nuk është përdorur në ndonjë situatë serioze lufte”, thotë Siemon Wezeman i Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Studimet e Paqes, SIPRI. “Sistemi i vetëm i testuar në luftime ka qenë ai “Patriot” në Luftën e Gjirit në vitin 1991.”

Rusia e ka vendosur S-400 në Siri për të mbrojtur bazat e saj atje. Presidenti Vladimir Putin tha se po testojnë atje sisteme të reja armësh. “S-400 ka patur mundësinë të tregojë aftësitë e tij gjatë sulmeve amerikane me raketat “Tomahawk” në Siri në 2018, por udhëheqja ruse ka qenë sa duhet e arsyeshme, për të mos e bërë këtë”, thotë Alexander Golts. Më vonë pati spekulime, se sistemi mund të mos i ketë zbuluar raketat me fluturim të ulët.

Turqia ka shpresë për transferimin e teknologjisë nga Rusia

Modelet paraardhëse si S-300 u zhvilluan në Bashkimin Sovjetik si pjesë e një sistemi të gjerë mbarëkombëtar të mbrojtjes ajrore. E veçanta e S-400 është se ai mund të përdoret i vetëm. Pikërisht kjo ia bën të mundur Turqisë të operojë me armë ruse jashtë rrjetit të NATO-s. Por këtu duket se ekziston një dilemë: në një rrjet më të madh Turqia do t’i përdorte më mirë S-400, por ndoshta do të hapte edhe mundësi spiunazhi për Rusinë.

Mbetet e hapur, se si do t’i mbrojë Turqia S-400 nga sulmet ajrore. Në Rusi këtë rol e merr “Panzir S-1” (NATO-Codename SA-22 Greyhound), një sistem modern i mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër.

Ai dërgohet te trupat ruse së bashku me S-400. Nëse edhe Turqia do ta blejë një sistem të tillë në Rusi, është e paqartë. Moska ka sinjalizuar se do të donte t’i shiste edhe armë të tjera Ankarasë.

Sidoqoftë Turqia ka shpresë edhe për transferimin e teknologjisë nga Rusia. Disa pjesë për S-400 do të prodhohen në Turqi. “Është më shumë një pjesëmarrje simbolike”, thotë Alexander Golts. “Disa vida, jo më shumë”. Sipas njoftimeve të pakonfirmuara të mediave ruse, Moska ka refuzuar t’i japë Turqisë qasje në parametrat elektronike, duke përfshirë softuerin e zbulimit “Mik/Armik”.

Modeli pasardhës S-500 gati për prodhim

Ndërsa Rusia pajis ushtrinë e vet me S-400, tashmë ekziston modeli pasardhës, që quhet S-500 “Prometeu” dhe pritet të vihet në funksion në vitin 2020. Modeli është gati për prodhim, tha të martën ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Denis Manturov. Nga sistemi i ri Moska pret një rreze më të gjerë veprimi, që mund të qëllojë edhe satelitët në fluturim të ulët.

Por edhe armët më moderne mund të dështojnë për shkak të logjistikës. Marrëveshja me Pekinin, për shembull, u shoqërua nga një avari. Gjatë një stuhie gjatë transportimit në rrugë detare për në Kinë, një furnizim me me raketa S-400, sipas mediave thuhet se u dëmtua nga uji dhe u zëvendësua në fillim të vitit 2019.

loading…