Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se sot ka ushtruar të drejtën e votës bashkë me bashkëshorten e tij, duke bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në procesin zgjedhor.

Shehu ka theksuar se dita e sotme është vendimtare për të ardhmen e Kosovës, duke e cilësuar votën si një të drejtë kushtetuese dhe si zërin e qytetarëve për shtetin që dëshirojnë të ndërtojnë.

“Sot votojmë dhe sot vendosim për Kosovën. Vota është e drejtë kushtetuese dhe zëri ynë për shtetin që duam të kemi”, ka deklaruar ai, duke ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin dhe ta shfrytëzojnë këtë të drejtë demokratike.

Kryetari i Junikut ka shprehur pritjen që në orët e mbetura deri në mbylljen e vendvotimeve, pjesëmarrja në këtë komunë të rritet ndjeshëm, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit qytetar.

“Demokracia duhet të triumfojë sot”, ka përfunduar Shehu, duke uruar qytetarët dhe duke shprehur shpresën për një proces zgjedhor të mbarë.