Juniku – Me rastin e hapjes së fushatës zgjedhore, kryetari aktual i komunës së Junikut dhe kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu, prezantoi sot listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal, duke e quajtur atë “listën e fitores” dhe “garancinë e vazhdimësisë së zhvillimit të Junikut”.
Shehu tha se kandidatët përfaqësojnë dinjitetin, profesionalizmin dhe vlerat më të mira të qytetit. Ai i përshkroi ata si fqinj, miq e bashkëqytetarë të njohur për integritetin e tyre dhe gatishmërinë për të punuar pa kompromis për interesat e komunitetit.
“Janë profesionistë të dëshmuar dhe qytetarë me të kaluar të pastër, që gëzojnë besimin tuaj në çdo lagje e fushë të jetës,” u shpreh Shehu, duke theksuar se rezultatet e katër viteve të para në krye të komunës dëshmojnë përkushtimin dhe vendosmërinë e tij për ta çuar Junikun përpara.
Ai shtoi se sfidat e reja kërkojnë mbështetje të fuqishme dhe vendime të guximshme në Kuvendin Komunal.
Në fund të fjalës së tij, Shehu u bëri thirrje qytetarëve të dalin masivisht në ditën e votimit:
“Fuqizoni zërin tuaj, përkraheni vizionin tonë dhe garantoni vazhdimësinë e zhvillimit. Zëri juaj është forca jonë.”
Fushata e LDK-së në Junik pritet të fokusohet tek projektet e përfunduara gjatë mandatit të kaluar dhe vizioni për zhvillim të mëtejshëm të komunës.







