Projekti për asfaltimin e pothuajse të gjitha rrugëve lokale dhe rrugicave në Junik ka hyrë në fazën përfundimtare. Sipas kryetarit të komunës, Ruzhdi Shehu, gjatë ditëve në vijim pritet të përfundojë edhe asfaltimi i rrugëve të mbetura. Pas përfundimit, të gjitha rrugët lokale dhe rrugicat në Junik do të jenë të asfaltuara.

Shehu theksoi se infrastruktura rrugore është e domosdoshme për lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe social të komunës. Ai shtoi se projekte të tilla është dashur të realizohen vite më parë, por tashmë janë përmbyllur gjatë mandatit aktual të qeverisjes lokale.

Kryetari i Junikut u shpreh se administrata e tij do të vazhdojë të punojë me “ndershmëri dhe duar të pastra” për transformimin e komunës.