Pas publikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, ka konfirmuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur edhe një fitore të qartë në votat e mërgatës, duke marrë rreth 62% të mbështetjes nga qytetarët jashtë vendit.
Sipas Shehut, rezultatet përfundimtare tregojnë se LDK ka një diferencë prej rreth 550 votash me koalicionin “Agron Kuçi, Jetmir Tofaj & Le Prof. de Paris Nezir Kraki”, duke hedhur poshtë përfundimisht propagandën e “300 votave” që, siç thotë ai, ishte përdorur për të dezinformuar opinionin publik.
Ruzhdi Shehu theksoi se ka qenë i qetë gjatë gjithë procesit zgjedhor, sepse ka pasur besim të plotë në rezultatin final dhe në mbështetjen e qytetarëve. Ai u shpreh se e vërteta dhe puna e ndershme do të triumfojnë gjithmonë – gjë që sipas tij u vërtetua edhe kësaj radhe.
Kryetari Shehu falënderoi të gjithë junikasit, si ata që jetojnë në Junik, ashtu edhe mërgatën, për besimin e madhe dhe mbështetjen e vazhdueshme. Ai theksoi se kjo fitore është rezultat i unitetit të qytetarëve dhe i punës së palodhshme që ka zhvilluar ekipi i tij gjatë kësaj periudhe.
“Shehu nënvizon se Juniku sot është më i bashkuar se kurrë dhe se LDK do të vazhdojë të punojë me ndershmëri, transparencë dhe duar të pastra për çdo qytetar, pa dallim bindjesh politike.”
Në fund, ai i uroi qytetarët me mesazhin: “Urime Juniku im. Vazhdojmë +4.”







