Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka deklaruar se qytetarët e Junikut kanë konfirmuar fitoren e LDK-së pa balotazh.
Në një postim falënderues drejtuar bashkëvendasve dhe mërgatës, Shehu është shprehur mirënjohës për përkrahjen e madhe që ka marrë nga qytetarët.
“Gjithë jetën time i kam shërbyer Junikut me nder dhe përkushtim. Mirëpo për mua nuk ka krenari më të madhe sesa kur shoh bashkëvendasit e mi kaq të bashkuar rreth vizionit të LDK-së për Junikun”, ka shkruar Shehu.
Ai ka theksuar se mbi 700 junikas kanë marrë pjesë në koktelin e falënderimit të organizuar nga LDK dega në Junik, duke e quajtur këtë një konfirmim të qartë të mbështetjes qytetare.
“Për mua është emocion i veçantë kur e shoh që Juniku njëzëri e konfirmon fitoren e LDK-së. Faleminderit 113 herë për përkrahjen tuaj kaq të madhe”, ka shtuar ai.
Në fund të mesazhit, Shehu ka ftuar të gjithë qytetarët e Junikut, pa dallim, që pas përfundimit të procesit zgjedhor të bashkohen në festën që e ka quajtur “më e madhja në historinë e Junikut”, për fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës.







