Junik – Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka prezantuar arritjet kryesore të mandatit të tij të parë, duke theksuar se investimet infrastrukturore kanë qenë prioriteti kryesor i qeverisjes lokale.

Shehu bëri të ditur se gjatë këtij mandati është ndërtuar rruga Gaxherr–Bajraktar dhe Unaza e Brendshme, e cila përfshin disa rrugë të lagjeve Berisha, Qendër, Gacafer dhe Krasniq. Sipas tij, këto projekte kanë lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe kanë hapur mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe social.

“Infrastruktura është parakusht për zhvillimin ekonomik e social të Junikut. Këto investime nuk janë vetëm asfaltim i rrugëve, por themele të një të ardhmeje më të mirë për qytetarët tanë,” ka deklaruar Shehu.

Ai ka theksuar se Komuna do të vazhdojë të punojë me përkushtim në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, si dhe në zhvillimin e projekteve të tjera që rrisin cilësinë e jetës së junikasve.

Kryetari ka ftuar qytetarët që të jenë bashkëpunues dhe aktivë në proceset zhvillimore, duke u zotuar se Juniku do të ketë një infrastrukturë moderne dhe funksionale në përputhje me nevojat e kohës.