Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se do ta respektojnë zotimin e vitit 2013 edhe pse nuk pajtohen me kufizimet për dërgimin e Forcës së Sigurisë në veri. Por sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, një ditë më herët tha se KFOR-i duhet së paku të njoftohet edhe në rastet kur Policia e Kosovës dislokohet afër kufirit me Serbinë. Në Qeverinë e Kosovës nuk treguan nëse është dhënë një zotim i tillë.
Ministri i Mbrojtjes e ka rikonfirmuar qëndrimin e shpalosur nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, lidhur me dërgimin e Forcës së Sigurisë në veri, vetëm me leje të posaçme të komandantit të KFOR-it.
Por në diskutimin që pati me gazetarë pas takimeve me liderët shtetërorë, Rutte tha se KFOR-i duhet së paku të njoftohet me kohë edhe në rastet kur Policia e Kosovës ndërmerr aksione afër kufirit me Serbinë.
Në Qeverinë e Kosovës nuk treguan nëse do të jepet një zotim i tillë.
Ministri Maqedonci tha se do ta respektojnë zotimin e autoriteteve të vendit, të bërë në vitin 2023.
“Shpesh është keqinterpretuar një letër që kam shkruar për komandantin e KFOR-it. Asnjëherë nuk kam bërë rizotim. Ministri i Mbrojtjes nuk bën rizotim të një letre e cila është bërë si zotim nga një kryeministër për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Ne kemi thënë se do të respektojmë atë zotim, pavarësisht se nuk pajtohemi nga kufizimet që ka për veprim FSK-ja në veri, pa koordinim paraprak me KFOR-it. Do të vazhdojmë të respektojmë këtë zotim duke u koordinuar paraprakisht me KFOR-in para se të dërgojmë trupa në veri”, theksoi Maqedonci.
E, Rutte tek ka folur për zotimin rreth FSK-së përmendi edhe njoftimin që duhet t’i bëhet KFOR-it kur Policia dislokohet afër kufirit me Serbinë.
“Kur bëhet fjalë, natyrisht, për FSK-në, përderisa nuk ka një marrëveshje të re, duhet t’i përmbahemi asaj aktuale, dhe e tashmja thotë qartë se që FSK-ja të dislokohet diku, duhet të ketë, veçanërisht në veri, pajtim paraprak me KFOR-in, komandantin e KFOR-it. Dhe kur është fjala për Policinë e Kosovës, nëse ata janë të dislokuar afër vijës kufitare administrative, është e rëndësishme që së paku të informojnë me kohë para se të ndodhë kjo, pra dislokimin e PK-së, Policisë së Kosovës, që ta informojnë KFOR-in”, deklaroi Rutte.
Ai shtoi se megjithatë gjërat mund të ndryshojnë në të ardhmen.
“Ne vërtet dëshirojmë që kjo të ruhet dhe ne e dimë se qeveria këtu është shumë e përkushtuar për këtë. Sigurisht, nuk mund të parashikosh kurrë nëse gjërat mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, por më lejoni të mos hyj tani në atë pyetjen ‘çka-nëse?’, sepse ka gjithmonë debate të vazhdueshme se si të shfrytëzohet sa më mirë bashkëpunimi, por nuk ka asgjë të re që unë këtu ta shpall”, shtoi Rutte.
E njohësi i sigurisë, Bejtush Gashi thotë se qëndrimi i fortë i NATO-s dhe Ruttes për ruajtjen e kufijve dhe integritetit territorial të shteteve është një mesazh i qartë për ata që mund të tentojnë ta rishikojnë statusin e rajonit.
“Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, si dy shtete që ende përballen me sfida të mëdha në aspektin e integritetit të brendshëm dhe ndërkombëtar, kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme për të siguruar sovranitetin dhe integritetin e tyre. Ky angazhim nga NATO-ja është një pasqyrë e qëndrueshmërisë dhe sigurisë që aleanca ofron për të mbrojtur shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për të siguruar që ato të kenë mundësinë të zhvillohen në një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt. Angazhimi për paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka marrë një dimension të shtuar në vitet e fundit, duke u thelluar si pasojë e situatës gjeopolitike të tensionuar në rajon”, tha Gashi.
Vizita e Ruttes në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë ishte e para qëkur mori detyrën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në tetor të vitit të kaluar.







