Rusia vendi që shtyp mediat, shoqërinë civile dhe opozitën

Gazetarja hulumtuese ruse, Anna Politkovskaya, u vra në hyrje të shtëpisë së saj më 7 tetor të vitit 2006. Që nga ajo kohë, autoritetet ruse kanë mbajtur disa seanca gjyqësore, por pa asnjë rezultat.

Në Rusi, presidenti Vladimir Putin konsiderohet si një sundimtar autokrat, i cili kufizon lirinë e shtypit, pengon zhvillimin e shoqërisë civile dhe arreston liderët e opozitës. 

Rusia renditet në vendin e 138-të të indeksit të shtypit të organizatës “Reporterët pa kufij”. Shpesh, sidomos në provincë, gazetat apo mediat e tjera detyrohen të mbyllen për shkak se u ndërpritet furnizimi me rrymë elektrike apo me gaz, ose sepse redaktorëve u kërkohet të paguajnë taksa absurde dhe marramendëse, raporton Deutsche Welle.

Gjykatat të cilat nuk punojnë sipas standardeve perëndimore i shpallin nëpër procese të rëndësishme vendimet sipas regjisë së Kremlinit. Sidomos në zonat larg Moskës, mediat janë në një gjendje të mjerueshme.

Fondacioni “Glasnost”, i cili vëzhgon fushën e botimeve dhe lirinë e mediave dhe të botuesve në Rusi, ka rregjistruar vetëm për një vit  1.322 raste problematike. 47 gazetarë janë arrestuar, 23 herë janë mbyllur redaksi gazetash, ndaj 43 redaktorëve janë hapur procese gjyqësore, ka pasur 63 raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe shtatë raste gazetarësh që janë vrarë.

Kremlini i ka mediet elektrike nën një kontrroll perfekt. Të gjitha stacionet televizive dhe thuajse të gjitha radiot janë ose në duart e shtetit ose të koncernit shtetëror Gazprom.

Pamja që ndeshim ne media reflektohet edhe në sferën e të drejtave të njeriut. Drejtësia nuk është e pavarur, policia dhe organet e tjera shtetërore veprojnë në mënyrë arbitrare jashtë çdo kontrrolli të pavarur. Shumë prej nëpunësve janë të korruptuar.

Historiania Irina Sherbakova, nga OJQ-ja “Memorial” shprehet me keqardhje që perëndimi është rikthyer në politikën e dikurshme të mos-përzierjes:

“Kjo është një problematikë e vështirë dhe një qëndrim oportun i perëndimit, sepse dobësia e demokracisë nuk është vetëm një sëmundje ruse. Por ajo që ne e ndjejmë të gjithë është kriza e mendimit demokrato-liberal”.

Sikur të mos mjaftonte, në Rusi ka hyrë në fuqi një ligj i ri për OJQ-të, që i detyron të gjitha ato që ekzistojnë që të regjistrohen rishtazi. Me siguri që shumë prej tyre nuk do të arrijnë që t’i plotësojnë kriteret e reja. Dhe me këtë Putin, është edhe një hap tutje drejt  diktaturës, duke shtypur mediat e lira, shoqërinë civile dhe opozitën, rrjedhimisht demokracinë e një vendi.