60 persona dyshohet se kanë vdekur në rajonin e Luhanskit pasi kanë mbetur nën rrënojat e një shkolle, e cila u godit nga një raketë ruse.

Kryetari i Luhanskit, Serhiy Gaidai ka bërë të ditur se dy persona deri më tani janë konfirmuar të vdekur, përcjell Demokracia.com.

“60 të tjerë që ndodhën nën rrënoja, ka shumë gjasa që janë të vdekur gjithashtu”, ka thënë ai përmes një mesazhi në Telegram.

30 persona janë shpëtuar, shtatë nga të cilët kanë lëndime më të rënda, raporton Sky News, përcjell Demokracia.com.

Sekretarja Liz Truss ka reaguar lidhur me këtë sulm, duke thënë se është e tmerruar nga incidenti i cili rezultoi me vdekjen e personave të pafajshëm.

Sulmi në fshatin Bilohorivka erdhi ndërsa forcat ruse vazhduan breshërinë e tyre në Ukrainën jugore, duke goditur portin kryesor të Odesës në Detin e Zi me raketa lundrimi.

Ata kanë bombarduar gjithashtu fabrikën e çelikut në bregdetin në Mariupol, ku luftëtarët ukrainas mbetën të bllokuar nën tokë.

Vladimir Putin po synon të përfundojë pushtimin e Mariupolit në kohë për festimet e Ditës së Fitores së Rusisë të hënën, por forcat e tij ende po përballen me rezistencë të ashpër ukrainasit.