Rusia shënjestron sërish zgjedhjet në SHBA, sytë kah ‘kuzhinieri’ i Putinit

Sërish debat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Agjencitë amerikane të zbulimit paralamërojnë se Rusia do të ketë sërish në shënjestër zgjedhjet në Kongres. Dëshmitë e fundit lidhen me akuzat ndaj 44-vjeçares ruse e lidhur me oligarkun e njohur si “Kuzhinieri i Putinit”.

Të premten u padit Elena Alekseevna Khusyaynova nga Shën Petersburgu, duke u regjistruar kështu si rusja e parë, e akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2018. Elena ishte shefe e një projekti rus të koduar si ‘projekti Lakhta’, i drejtuar nga Agjencia për Krimet në Internet.

Sipas prokurorëve, ajo menaxhonte shpenzimet për reklama dhe promovime në rrjetet sociale, si edhe dyshohet se ajo ka krijuar mijëra profile të rreme në Facebook dhe Twitter.

Por, kush është kuzhinieri i Putinit?

Akuza për rusen është se ajo punonte me një buxhet që kapte vlera miliona dollarësh, që sipas amerikanëve vinin nga biznesmeni rus, Jevgeni Prigozhin.

Prigozhin është i njohur si ‘kuzhinieri’ i presidentit Vladimir Putin, për shkak se kompania e tij furnizon me ushqim presidentin. Ai mendohet se ka lidhje me institucione dhe me zyrtarë të lartë rusë.