Asambleja Parlamentare e NATO-s, në raportin “Siguria në Ballkanin Perëndimor”, të raportuesit Raynell ANDREYCHUK, ka tërhequr vëmendje te angazhimi i madh i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Ndonëse angazhimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor u zvogëlua në fillim të viteve 2000, Moska pohoi praninë e saj përsëri në dekadën e fundit nën udhëheqjen e presidentin Vladimir Putin. Duke ofruar stimuj, p.sh. nëpërmjet huave, projekteve të energjisë, tregtisë dhe investimeve të tjera, Rusia e ka fuqizuar praninë e saj në rajon, duke u përpjekur kështu që ta vonojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Për më tepër, Moska po përdor çdo mundësi, duke përfshirë korrupsionin e ryshfetin dhe nganjëherë Kishën Ortodokse Ruse, për t’i shtyrë përpara interesat e saj dhe për të nxitur ndjenjën antiperëndimore, në veçanti midis serbëve dhe për të minuar ndikimin perëndimor në të gjithë rajonin”, thuhet në këtë raport, transmeton Ballkani.info.

Angazhimi i Moskës në rajon, sipas këtij raporti të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, është gjithashtu edhe për shkak të ngjashmërive të afërta kulturore, gjuhësore dhe fetare midis rusëve dhe sllavëve ortodoksë.

“Në veçanti, lidhja me Serbinë është mjaft e fortë në një nivel politik, pasi Rusia kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe ajo kishte vënë veton ndaj një rezolute të KS të OKB-së, e cila e cilësonte masakrën e Srebrenicës një gjenocid”, shkruan në raportin “Siguria në Ballkanin Perëndimor”.

Më tej, aty thuhet se përpjekjet e Rusisë në rajon janë lehtësuar nga elitat autoritare të ngulitura, të cilët janë të frustruara nga ajo se procesi i pranimit në Bashkimin Evropian nuk po ecën me shpejtësi dhe ata i kanë ngadalësuar proceset e reformave.

“Në të njëjtën kohë, situata ekonomike në Rusi dhe rubla e dobët e kufizojnë aftësinë e Moskës për të konkurruar me BE-në në nivel rajonal”, shkruan në këtë raport, transmeton Ballkani.info.

Aty theksohet edhe mbizotërimi i Rusisë si eksportues kryesor i gazit në Serbi, në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Bosnje e Hercegovinë, gjë që ia lejon asaj që t’i shfrytëzojë këto vende si një nga pikat primare të politikës së saj gjeopolitike.

“Rusia po e shfrytëzon në mënyrë aktive varësinë e vendeve të rajonit në furnizimet me energji. Rusia nuk po përpiqet vetëm që ta mbajë pozicionin e vet dominues të energjisë, por edhe ta zgjerojë atë. Megjithatë, është e paqartë nëse Rusia do të jetë në gjendje të ketë sukses, pasi disa nga projektet e shpallura, të tilla si tubacionet Druzhba-Adria ose tubacioni Rrjedha e Jugut, ose janë vonuar ose janë stopuar. Për çdo çështje tjetër ekonomike, duke filluar nga ndihma e jashtme ndaj FDI-së, prania e BE-së në masë të madhe e tejkalon Rusinë. Si rezultat, Rusia është larg nga të qenit në gjendje të formësimit në mënyrë domethënëse të së ardhmes së rajonit”, konstaton Asambleja Parlamentare e NATO-s në raportin e saj “Siguria në Ballkanin Perëndimor”.

Për Ballkanin Perëndimor, strategjia e parashikuar ruse vlerësohet si më e mprehtë dhe e lidhur me fuqinë e butë kulturore dhe historike.

“Në këtë kuptim, Rusia po përpiqet ta vendosë veten si një lojtar kyç në sektorin e informacionit: agjencia e lajmeve Sputnik u hap në Beograd në vitin 2014 dhe po e përdor narrativen e saj tipike anti-perëndimore. Sputnik kontribuon në polarizimin e opinionit publik, duke paraqitur versione të shtrembëruara dhe të njëanshme të kontributeve të BE-së dhe NATO-s në rajon (Byrne, 2017). Për më tepër, Rusia siguron mbështetje për organizatat e shoqërisë civile dhe partitë politike të cilat janë të përafruara me agjendën e saj politike. Këto politika mund të përmblidhen më së miri si “oportunizëm i papërpunuar” pasi që në Ballkan “Qëllimi i Rusisë është t’i nënçmojë dhe t’i mërzisë institucionet ekzistuese dhe rregullat e vendosura nga Perëndimi” (Bechev, 2017)”, thuhet më tej në këtë raport.

Ndonëse angazhimi aktual rus në rajon mund të shihet si një ndërhyrje në integrimin euroatlantik, aty theksohet se ky është një pranim indirekt që ndikimi i Kremlinit në Ballkanin Perëndimor nuk mund të kalojë “taktikat e dështuara”.

Shembulli më i fundit i taktikave të tilla, sipas këtij raporti, është vërejtur nga deklaratat e kryeministrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Zoran Zaev, që përpjekjet për ta penguar referendumin për emrin e Maqedonisë në shtator mund të gjurmoheshin edhe në Rusi.

“Si rezultat, në korrik Greqia dëboi dy diplomatë rusë për përpjekjen e tyre për të minuar marrëveshjen e fundit me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë për emrin e kësaj të fundit”, shkruan në raportin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Për më tepër, ndryshe nga NATO dhe BE-ja, në raportin “Siguria në Ballkanin Perëndimor” shkruan se Rusia nuk ka “çizme në terren”, marrëdhëniet ekonomike me rajonin po zvogëlohen dhe nuk ka plane për zgjerim as të Unionit Ekonomik Euroaziatik apo të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive për të përfshirë Ballkanin Perëndimor, duke parashikuar disa rrugë të prekshme ruse në rajon (Bechev, 2017)./Ballkani.info/

https://www.nato-pa.int/download-file?filename=sites%2Fdefault%2Ffiles%2F2018-10%2F2018%20-%20%20SECURITY%20IN%20THE%20WESTERN%20BALKANS%20-%20178%20PCNP%2018%20E.pdf&fbclid=IwAR2iApZ19cEipg3gs8a8eXCY_HXB8IZfvrpj3vhgB2tHljJ0vKK5_9y7yGU