Rusia pengon eksportin ukrainas, frikë për krizë të produkteve ushqimore

Rusia është duke e penguar Ukrainën që të eksportojë drithërat dhe grurin, kështu çmimet e ushqimeve kanë shënuar rritje kudo.

Që nga 24 shkurti i këtij viti, Rusia e ka sulmuar Ukrainën me synim për ta pushtuar.

Bllokimi i porteve të Ukrainës nga forcat ruse, shkatërrimi dhe vjedhja e supozuar e drithërave dhe makinerive bujqësore të Ukrainës, si dhe predhat dhe minat e shpërndara tani nëpër fushat ukrainase po kërcënojnë të përkeqësojnë mungesat, urinë dhe paqëndrueshmërinë politike në vendet në zhvillim.

Javët e negociatave për korridoret e sigurta për të nxjerrë grurin nga portet e Detit të Zi të Ukrainës, kanë bërë pak përparim, me urgjencën në rritje me ardhjen e sezonit të korrjeve të verës, raporton euronews, transmeton Express.

“Kjo duhet të ndodhë në dy muajt e ardhshëm ose do të jetë e tmerrshme,” ka thënë Anna Nagurney, një anëtare e bordit të Shkollës Ekonomike të Kievit.

Nagurney tha se 400 milionë njerëz në mbarë botën mbështeten në furnizimet ushqimore të Ukrainës.