Rusia nis prodhimin e vaksinës së tretë anti-COVID

Rusia ka filluar prodhimin e “CoviVac”, vaksinën e saj të tretë kundër COVID-19, dhe së shpejti do ta vërë atë në dispozicion për përdorim në rajonet e saj, megjithëse provat e fazës së tretë janë ende në proces, kanë thënë zyrtarët rus gjatë së enjtes.

Vaksina ruse më e njohur kundër koronavirusit është “Sputnik V”. Moska gjithashtu ka dhënë aprovim urgjent edhe për dy të tjera, “EpiVacCorona” dhe “CoviVac”.

“Vaksina e tretë ruse po hyn në qarkullim civil dhe do të shfaqet në rajonet ruse në ditët në vijim. Qendra Chumakov planifikon të prodhojë deri në 10 milionë doza të vaksinës në vit”, ka thënë Ministria e Shkencës në Rusi.

Ministri i Shkencës, Valery Falkov, ka thënë se provat e fazës së tretë të vaksinës kanë filluar, të cilat sipas tyre, do të përfundojnë në gjysmën e këtij viti.