Një gjykatë

Rusia ndalon katër video të AP-së për luftën në Çeçeni

Një gjykatë në qytetin Nallçik të Rusisë ndaloi katër video arkivore të agjencisë së lajmeve Associated Press (AP).

Videot nga lufta e Çeçenisë e viteve 1990 dhe 2000 u cilësuan si “propagandim i mizorisë”.

Njëra prej tyre tregon ushtarë rusë duke u mbajtur të burgosur nga luftëtarët çeçenë në vitin 1995.

Në këtë video, e cila është shikuar afro dy milionë herë, një oficer rus thotë se është trajtuar “shumë çuditërisht” dhe kritikon taktikat ruse në luftë.

Një video tjetër, po ashtu e vitit 1995, tregon rezultatet e sulmeve ruse në qytetet çeçene: Grozni, Argun dhe Shali.

Vendimi i gjykatës thotë se videot “lehtësojnë ndërmarrjen e veprimeve të paligjshme”, mund të provokojnë “pasoja negative shoqërore, ekonomike dhe të tjera”, si dhe shkelin “të drejtën e qytetarëve për të jetuar në një shtet të bazuar në ligj, siç e garanton edhe Kushtetuta”.

Rusia ka zhvilluar dy luftëra kundër separatistëve në Çeçeni.

E para ka filluar në dhjetor të vitit 1994 dhe ka zgjatur deri në gusht të vitit 1996.

Ajo ka përfunduar me një marrëveshje të paqes, që i ka dhënë Republikës së Çeçenisë një shkallë të konsiderueshme të autonomisë.

Lufta e dytë çeçene ka filluar në gusht të vitit 1999 dhe zyrtarisht ka marrë fund kur Rusia ka shpallur fundin e “operacionit kundër terrorizmit” në republikë, në prill të 2009-ës.

Konfliktet kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima civile dhe qindra mijëra të zhvendosur.

Ato janë kritikuar nga aktivistët vendas dhe ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut për shkelje të të drejtave dhe mizori nga të dyja palët. /rel