Rusia ka mohuar se ka kryer sulm kibernetik ndaj Universitetit të Oksfordit. Megjithatë ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje me këtë institucion dhe kompaninë farmaceutike “AstraZeneca” për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit.
Fondi sovran i thesarit njoftoi për hollësitë e kësaj marrëveshjeje pasi Kremlini u akuzua për përpjekje për vjedhje të të dhënave për vaksinën përmes sulmit kibernetik, shkruan “Daily Mail”.
Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja deklaruan të enjten se hakerët e përkrahur nga shteti rus janë duke u përpjekur t’i vjedhin të dhënat e hulumtimeve për zbulimin e vaksinës dhe trajtimit kundër koronavirusit nga institucionet akademike dhe farmaceutike rreth botës.
Sidoqoftë, kryetari i Fondit për Investime Direkte, Kirill Dmitriev, ka thënë se ska nevojë të vjedhë sekrete, sepse tashmë ka një marrëveshje me kompaninë “AstraZeneca” për prodhimin e një vaksine të mundshme britanike në Rusi.
“AstraZeneca tashmë ka një marrëveshje me R-Pharm për lokalizimin e plotë dhe prodhimin e vaksinës së Oksfordit në Rusi. Nuk ka asgjë që ka nevojë të vidhet. E tëra do t’i jepet Rusisë”, tha Dmitriev.
Në anën tjetër, kompania“AstraZeneca” nuk e ka komentuar këtë deklaratë, por muajin e kaluar ka njoftuar se është në bisedime me Rusinë dhe disa vende të tjera rreth marrëveshjeve për furnizim me vaksinën e mundshme kundër koronavirusit.
Ndryshe, Rusia më parë ka pretenduar se është duke e zhvilluar vaksinën e vet, për të cilën tashmë raportohet se muajin e ardhshëm do të miratohet nga rregullatori dhe do të jetë e gatshme për një pjesë të madhe të popullsisë në shtator.







