Të martën do të shqyrtohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Interpol, kurse më pas do të bëhet votimi, dhe atë në dy raunde.

Kështu është hedhur poshtë kërkesa e Serbisë që Kosova mos të hyjë në rend ditë në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit që po mbahet në Dubai.

Lajmin fillimisht e ka publikuar Sputnik-u rus, e më pas edhe B92.net.

Siç thuhet, kryesuesi i Interpolit e ka refuzuar kërkesën e Serbisë dhe pesë vendeve tjera anëtarë që Asambleja e Përgjithshme të votojë për heqjen nga rendi i ditës të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.

Kështu që kryesuesi i Asamblesë në fillim të mbledhjes e ka refuzuar futjen në rend të ditës të kërkesës të Serbisë e mbështetur edhe nga Kina, Spanja, Qipro, Argjentina dhe Surinami, shkruan Ballkani.info.

Në anën tjetër, në Serbi thonë se Moska zyrtare nuk e ka kundërshtuar agjendën aktuale, ku pritet edhe votimi për Kosovën.

“Rusët nuk kanë udhëzime nga Qeveria e tyre për të folur. Por gjithsesi ata do të votojnë”, shkruan Telegrafi serb.

E kjo sjellje e Rusisë po konsiderohet si diçka jo e mirë për Serbinë.

Drejtori i Institutit të Sigurisë, Orhan Dragash, thotë se nuk duhet harruar se Rusia shikon interesat e saja, edhe nëse në pyetje është pranimi i Kosovës në INTERPOL.

Kujtojmë se ditë më parë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ishte takuar mes homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Paris. /Ballkani.info/