Rusia ia kthen Britanisë: Mos gënjeni, mos na provokoni prapë në Detin e Zi

Rusia e akuzoi Britaninë të enjten për shpërndarje të gënjeshtrave rreth një incidenti mes anijeve në Detin e Zi dhe e paralajmëroi Londrën se do të kundërpërgjigjet me vendosmëri ndaj çfarëdo veprimi provokues nga forcat detare britanike afër brigjeve të Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina më 2014.

Rusia e thirri në raportim ambasadoren britanike në Moskë, Deborah Bronnert, për ta qortuar formalisht, pasi luftanija britanike hyri në ujërat që Britania dhe pjesa më e madhe e botës i njeh si pjesë e territorit të Ukrainës, shkruan Reuters

Britania tha se Rusia po shpërndan informata të pasakta rreth incidentit dhe e vuri në pikëpyetje paraqitjen e të dhënave nga autoritetet ruse, duke thënë se nuk ka pasur të shtëna paralajmëruese dhe nuk janë hedhur bomba në vijën e lundrimit të luftanijes britanike.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e akuzoi Londrën për gënjeshtra të pacipa, shkruan Reuters.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Ne besojmë se ky ishte një provokim i qëllimshëm dhe i paramenduar. Në rast të përsëritjes së një veprimi të papranueshëm provokues, nëse këto veprime shkojnë shumë larg, asnjë opsion s’mund të përjashtohet në aspektin e mbrojtjes ligjore të kufijve të Rusisë.”

Gjatë një vizite në Singapor, ministri i Jashtëm i Britanisë, Dominic Raab, tha para gazetarëve se ndaj anijes HMS Defender nuk ka pasur të shtëna, duke e përgënjeshtruar deklaratën e ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Gjatë incidentit, për të cilin BBC-ja ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, një anije e rojës bregdetare ruse shihet duke iu afruar shumë luftanijes britanike, ndërsa në qiell shihen aeroplanë luftarakë rusë.