Rusia i zhbollokon pjesërisht portet ukrainase
Një ministër ukrainas ka deklaruar se anijet kanë rifilluar të qarkullojnë përmes Ngushticës së Kerçit drejt dy porteve të rëndësishme ukrainase, nëntë ditë pasi Rusia kishte hapur zjarr ndaj tri anijeve të shtetit fqinj. Ministri tha se portet e Mariupolit dhe Berdyanskit janë zhbllokuar pjesërisht.
Rusia kishte arrestuar 24 marinarë ukrainasë më 25 nëntor në përleshjen e parë të drejtpërdrejtë mes dy shteteve që nga viti 2014. Anijet ukrainase ishin nisur drejt portit të Mariupolit, por më vonë u zunë në ujëra ndërkombëtare. Para këtij incidenti, Ukraina e kishte akuzuar Rusinë për pengimin e anijeve të mallrave që hynin dhe dilnin nga dy portet e rëndësishme, të cilat ndodhen në Detin Azov, ujërat e të cilit i takojnë Rusisë dhe Ukrainës.
Rusia edhe më herët e kishte nisur kontrollimin e anijeve ukrainase, ndërkaq Ukraina e kishte akuzuar Rusinë se po i bën bllokadë ekonomike. Ministri ukrainas i infrastrukturës tha se anijet e kanë rinisur qarkullimin nëpër ngushticë, por kontrollet ruse janë duke u bërë si më parë. Rusia nuk kishte bazë ligjore për ta zbatuar një bllokadë të plotë, prandaj duket se i është rikthyer procedurave që i ka zbatuar edhe para 25 nëntorit, shkruan “BBC”