Rusia forcon praninë e saj në Serbi, njeriu i Putinit në krye të Qendrës ruse në Nish

Drejtori i Ministrisë ruse për situata emergjente Aleksandar Romanov është zëvendësuar për shkak të punës së keqe në “Qendrën humanitare ruse në Nish”, Serbi, shkruan sot gazeta e Beogradit “Blic”.

Në vend të tij pritet të emërohet Vladimir Aleksandar Solovjov nga Shërbimi Federal i Sigurisë.

“Solovjov deri më tash ka qenë njeri shumë i besueshëm që vepronte nga hija. Fakti se ai vjen nga shërbimi informativ se për zëvendësimin në Qendrën ruse të Nishit, fshihet ndonjë shpjegim tjetër e jo puna e keqe në atë Qendër. Po të shikohet më gjatë, është e qartë se Rusia aktualisht dëshiron të jetë më e pranishme në Ballkan. Kosova po bëhet temë aktuale rreth të cilës po thyhen heshtat e fuqive të mëdha, të SHBA-së e të Kinës pasi që BE-ja nuk po ia del ta mbajë nën kontroll situatën”, citon “blic” të ketë thënë një burim i tij.

SHBA-ja Qendrën ruse në Nish e quan qendër të spiunazhit të Rusisë në Serbi e në Ballkan.