Rusia e “shqetësuar” me “Planin A” të shqiptarëve – Shqipërinë e Madhe!

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka deklaruar sot se “janë intensifikuar përpjekjet që të integrohen rajonet e banuara me shqiptar në Ballkan”.

Sipas kësaj ministrie, me këtë përpjekje komplikohet dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe cenohet atmosfera e mirëbesimit në tërë rajonin.

MPJ e Rusisë ka vlerësuar në njoftim se “mbështetësit perëndimor të Tiranës po vazhdojnë të bëhen sikur nuk po e hetojnë aspirimin aktiv të ‘Shqipërisë së Madhe’”, transmeton Ballkani.info.

“Intensifikimi i përpjekjeve që të integrohen rajonet e banuara me shqiptarë në dëm të vendeve fqinje ballkanike dhe institucionalizimi i këtij procesi në kuadër të Këshillit rajonal të komunave shqiptare nuk është i rastësishëm”, thuhet në njoftim.

Ministria ruse, në anën tjetër, thekson se nuk mund të injorohen “hapat e vazhdueshëm që janë marrë nga udhëheqësit aktual shqiptarë, në lidhje me konsolidimin e ‘faktorit shqiptar’ në kuadër të politikës rajonale të Tiranës”.

Në këtë kontekst, MPJ ruse thekson se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama “hapur ka thënë se Kosova për të është pjesë e Shqipërisë” dhe se “bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës nuk është plan B, por plan A”.

“Realizimin e atij plani, kryeministri shqiptar e ka lidhur me politikën e jashtme dhe të brendshme në debatin rreth korrigjimit të mundshëm të kufijve të Kosovës, respektivisht në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja me qëllim që të arrihet marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj ministrie, në Tiranë mendojnë se arritja e një marrëveshje të tillë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës paraqet pengesë për implementimin e të ashtuquajturit “Plani A”. /Ballkani.info/