Rushiti: Mesazhi i viktimave të dhunës seksuale po përçohet edhe te vet agresori

Për 12 muaj, prej edhe kur ka filluar punën komisioni qeveritar për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale, kanë aplikuar rreth 900 persona, ndërsa rreth 200 prej tyre kanë filluar të marrin pensionet.

Por e pakënaqur me procesin e verifikimit të këtyre personave është drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, e cila tha se pritjet e gjata janë edhe më të mundimshme dhe dekurajuese për të mbijetuarit e kësaj dhune.

Thotë se plagët e pashëruara për 20 mijë heroinat dhe heronjtë e gjallë të Kosovës, ata të cilët u dhunuan nga forcat serbe, tash po bëhen jehonë kudo në botë. Krimet që u bënë në Kosovë, po përcillen edhe në shtetin ku më së paku do të dëshironte të dëgjonte për to, në Serbi.

Në një iniciativë globale të lauratëve të Nobelit, të Denis Mukwege dhe Nadia Murad, të ftuara ishin drejtoresha e Qendrës për Rehabilitim të Viktimave të Torturës së Luftës, Feride Rushiti së bashku me të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman. Aty u diskutua ekspertiza e Kosovës, në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

“Ajo aty ishte për të ndarë rrëfimin e saj, për të kërkuar reperacion për viktimat e botës, jo vetëm të Kosovës, për faktin se Kosova paraqitej si praktikë e mirë e mundshme. Dhe në këtë event, përtej takimeve anësore që i kemi pasur, eventi kryesor i ka grumbulluar përtej lauratëve, përfaqësueseve të Un women kanë qenë edhe përfaqësuesit e akredituar në OKB, duke filluar nga Ambasada norvegjeze, Ambasada e Britanisë së Madhe, Ambasada suedeze, donatorë privat, vetëm për të dëgjuar se si mund të vazhdohet më tutje, të punohet në rehabilitimin dhe riparimin e plagëve të luftës, duke iu ofruar atyre reperacion apo njohje publike”, ka shtuar ajo, raporton kp.

Kosova në këtë iniciativë globale, ishte vendi i vetëm nga Evropa. Rushiti thotë se mesazhi për këto krime ka arritur kudo në botë, duke përfshirë edhe Serbinë.

“Në atë nivel, Serbia nuk ka qenë prezent, por pa dyshim mesazhi ka shkuar, për faktin se kanë qenë vendet më të fuqishme të botës prezent dhe pastaj takimet anësore kanë qenë të realizuara veçmas me komisionin evropian, me Ambasadën gjermane në New York që përfaqësohet në UN, me Ambasadën britanike, e kështu me radhë. Krejt këto kanë bërë që të tregohet, pikë së pari për vuajtjet e grave, 20 mijë gra dhe burra, të cilat kanë marrë këtë plagë të luftës, pa dashjen e tyre dhe janë viktimizuar më tutje. Por, njëkohësisht është përçuar mesazhi i mirë që Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë t’i njohë publikisht me ligj, e pastaj, e me ju dhënë pensionin. Mendoj se ky informacion nuk është dhënë vetëm në nivel të Serbisë, por edhe në nivel rajoni. Sepse prej krejt Evropës ka qenë prezent vetëm Kosova”, ka thënë ajo.

Më 5 shkurt të vitit të kaluar, ka filluar punën Komisioni Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Feride Rushiti ka treguar për KosovaPress se numri i personave të cilët kanë aplikuar gjatë këtij viti është rreth 900.

“Kanë aplikuar rreth 900 persona, është një numër ashtu siç e kemi planifikuar në buxhet bashkërisht edhe me ministrinë, në atë kohë kur ne po avokonim me ministrin e Financave, për faktin se është pritur që viti i parë, do të jetë një vit ku do të ketë numër më të madh të rasteve. Ku organizatat qeveritare, që kanë punuar dhe u kanë dhënë shërbim të mbijetuarve të dhunës seksuale veç i kanë rastet e përgatitura, të cilat do të aplikojnë dhe do t’i gëzojnë benificionet”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e QKRMT-së tha se një vit pas punës së këtij komisioni mbetet e pakënaqur për shkak të proceseve të tejzgjatura që po zhvillohen.

shqetësuese fakti që tani kur po flasim, në një vjetorin e këtij komisioni, vetëm 200 raste bile nuk janë as 200 numri i plotë, kanë arritur të përfitojnë statusin si të mbijetuara të dhunës seksuale dhe të fillojnë të gëzojnë benificionet personale që parashihen me ligj. Është shqetësuese për faktin se procedurat e rishqyrtimit e vlerësimit të parë, vlerësimit të dytë, pastaj dokumenteve shtesë, janë shumë të stërzgjatura, dhe kjo po paraqet shqetësim për të mbijetuarat e dhunës seksuale, por edhe për ne që punojmë si aktiviste të të drejtave, dhe që jemi në shërbim të tyre viktimave. Për faktin se nuk e kemi prit, ne kemi menduar që në periudhën kur e kemi draftu dhe kemi ndihmuar në krijimin e legjislacionit por edhe këtij mekanizmi në tërësi, kemi menduar që rasti si i tërë do të marrë një muaj, dy muaj për vlerësim. Sot që po flasim kemi raste që presin dhjetë muaj, nëntë muaj, gjashtë muaj e kështu me radhë”, tha ajo.

E përkundër këtyre pritjeve, Rushiti tha se shumë raste nuk po arrijnë të fitojnë statusin dhe të marrin beneficionet që ju takojnë. Ajo ka theksuar se për dallim nga vendet tjera të botës ku të mbijetuarat duhet të paraqitën fizikisht tek komisioni, një gjë e tillë nuk po ndodhë në Kosovë.

Ajo ka theksuar se viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-99 janë diskriminuar nga shoqëria madje edhe janë përballur me dhunë psikike e fizike. Ndërsa asnjë nga ata të cilët kanë kryer këto krime nuk janë dënuar deri më tani, edhe pas 20 viteve.