Anëtari i Kryesisë

Rukiqi: Vendimet e njëanshme të qeverisë po rrezikojnë përkrahjen e aleatëve

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi paralajmëron se veprimet, të cilat i quajti të njëanshme, të qeverisë së zotit Albin Kurti, rrezikojnë që Kosova të mbetet pa përkrahjen e aleatëve.

Gjatë intervistës me gazetarin e Zërit të Amerikës, Artan Haraqija, javën e kaluar ndërsa merrte pjesë në Lutjet e Mëngjesit, zoti Rukiqi thotë se mungesa e bashkërendimit me aleatët për një mori çështjesh, si ajo e themelimit të Asociationit të komunave me shumicë serbe dhe tani vendimi për heqjen e dinarit serb nga përdorimi në Kosovë, rrezikojnë që vendi të mbetet pa përkrahje edhe në raste nëse Kosova do të përballej me rreziqe të ngjashme, si ajo e sulmit terrorist në Banjskë.

Zëri i Amerikës: Vendimi i Bankës Qendrore në Kosovë rreth përdorimit të dinarit serb nxiti një valë trysnie diplomatike për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi. Si duhet të veprojë Prishtina në këtë rast?

Berat Rukiqi: Ky është vendim i vitit 2012 dhe është edhe pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Kosova ka një valutë të vetme, nuk e ka një sistem shumë-valutor. Kosova ka vendosur që ta pranojë markën gjermane për periudhën e pasluftës dhe pastaj kalimi i saj në eurozonë, pra ai sistemeve monetare evropiane në eurozonë, normalisht ka imponuar përdorimin e euros si valutë të vetme dhe kjo është më se e qartë. Ndërkohë ka pasur një fleksibilitet sa i përket pagesave që janë bërë për qytetarët serbë, kryesisht janë pagesa që vijnë nga qeveria e Serbisë. Është botërisht e ditur që ata marrin, sidomos sistemi shëndetësor dhe arsimor në pjesën veriore të Kosovës, por edhe në pjesën ku ka komunitet serb, edhe një pagë shtesë, e cila ka qenë në dinar, që është valutë zyrtare e një vendi tjetër, i cili nuk e njeh Kosovën. Ne si parti nuk i komentojmë vendimet e institucioneve të pavarura, Banka Qendrore është institucion i pavarur, supozohet se është i pavarur nga ndikimet e ndryshme edhe politike. Ajo që ne e dëgjuam edhe në takimet me zyrtarët amerikanë është një kërkesë miqësore që të ketë fleksibilitet në kuptim të implementimit dhe që vijnë nga një vend i cili ka bërë shumë për sovranitetin e vendit dhe normalisht nuk është i interesuar që të cënojë në asnjë moment asnjë vendim sovran dhe asnjë veprim që e garanton sovranitetin e vendit në secilën fushë, përfshirë edhe pjesën e sistemit monetar që lidhet me përdorimin e valutës. Ka qenë vendim i tyre dhe ne normalisht nuk e kemi komentuar për shkak se është diçka që e ka ritheksuar dhe rikthyer në vëmendje një gjë që është e domosdoshme të zbatohet, sot apo nesër, ajo duhet të jetë politika monetare në këtë rast

Zëri i Amerikës: Çfarë nënkupton fleksiblitet?

Berat Rukiqi: Fleksibilitet kohor, dmth një periudhë kohore tranzitore e cila pastaj i mundëson shtrirjes të institucioneve financiare të Kosovës në pjesën e veriut dhe në pjesën ku ka komunitet serb dhe normalisht krijon hapësirën, që pagesat të bëhen në valutën zyrtare të Kosovës në institucionet financiare që janë të licencuara nga Republika e Kosovës, përkatësisht nga Banka Qendrore.

Zëri i Amerikës: Partia juaj ka kërkuar që qeveria e zotit Kurti të ketë bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar, sidomos me Uashingtonin. Nëse kjo kërkesë është bërë tani, për fleksibilitet siç e thoni ju, mendoni se duhet të shtyhet ky vendim? Si do të vepronit ju po të ishit në pushtet?

Berat Rukiqi: Ka një shqetësim në rritje për, në përgjithësi, vendime të njëanshme të Kosovës. Jemi në momentin kur ne kemi të gjithë aleatët mbrapa vetes, sidomos pas situatës së krijuar nga sulmi terrorist në Banjskë, kemi pasur një rreshtim të gjithë aleatëve në përkrahje të Kosovës, në përkrahje të sovranitetit të Kosovës dhe integritetit territorial dhe në përkrahje sidomos në aspektin e sigurisë për Kosovën. Pra, pjesën ku jemi shumë të ndjeshëm, te ruajtja e kufijve dhe te pjesa që ka të bëjë me çfarëdo lloj përballje që do të mund ta kemi me ndonjë agresion apo me ndonjë sulm që do të mund të ishte i përmasave të gjëra teroriste dhe të mos kemi atë pjesën tjetër që pasoi sulmin, bashkërendimin me aleatët, sigurisht pasojat për sigurinë dhe integritetin e vendit do të ishin shumë serioze dhe normalisht këto lloj bashkërëndimesh si në aspektin e sigurisë më pas kërkohen edhe në pjesë të tjera dhe ky është shqetësimi pra, që nuk po ka bashkërendim para se të merren vendime të cilat e prekin një segment ku më pas përqëndrohet vëmendja, ku kthehen reflektorët që është veriu i vendit dhe që janë të drejtat e komunitetit serb. Ne mendojmë se ne si Kosovë duhet që të shfrytëzojmë këtë vëmendje, sado që e kemi, të aleatëve në këtë kontekst gjeopolitik edhe ta kthejmë në dobi të proceseve tona, në dobi të sigurisë të vendit tonë, në dobi të integrimit, në dobi të politikës së jashtme, jo vetëm njohjes që është imperative dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por edhe heqjes së sanksioneve pasi nuk duhet të harrojmë se Kosova është nën sanksione dhe dëmet po vazhdojnë dhe dëmet mund të shumëfishohen nëse ne nuk përfshihemi në pako të reja financiare, apo në pako të reja të rritjes të Bashkimit Evropian ashtu edhe siç ka paralajmërime. Të gjitha këto, ne si parti politike i marrim si shqetësime serioze të aleatëve dhe normalisht dhe i themi hapur në kuptimin që Kosova mund të bëjë çdo hap në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit vetëm në bashkërëndim me aleatët. Ne ishim jashtëzakonisht entuziast dhe të lumtur që Shtetet e Bashkuara e para-miratuan pasi sigurisht duhet miratim i Kongresit për sistemet ‘Javelin’, por normalisht ne duhet të jemi edhe komunikativ e të hapur edhe ndaj kërkesave të tjera që ata mund t’i kenë. Edhe këtë ne duhet ta lexojmë si përkrahje të drejtëpërdrejtë të tyre, pavarësisht që ne i blejmë ato, pa një përkrahje të drejtpëdrejt dy-partiake në Shtetet e Bashkuara nuk do ta kishim këtë mundësi që nuk e kanë edhe shumë vende të tjera. Këtë ta lexojmë si sinjal që ndonjëherë kur të vinë ata me ndonjë kërkesë e cila nuk është as për ta shkelur Kushtetutën e as ligjin, por vetëm një modalitet të zbatimit që faktikisht pastaj e kupton edhe akomodimin e interesave të komunitetit serb edhe të aleatëve edhe të tjerëve në këtë situatë të re që është krijuar.

Zëri i Amerikës: Trysnia më e madhe mbi Kosovën ushtrohet rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, projekt-statuti i të cilit ka ardhur i shkruar nga komuniteti ndërkombëtar. Ai nuk është pranuar nga partia juaj pasi është cilësuar i dëmshëm. Si mund të reagojë Prishtina në bashkërëndim me komunitetin ndërkombëtar nëse ju nuk pajtoheni me diçka që ka ardhur e shkruar nga vetë Komuniteti Ndërkombëtar?

Berat Rukiqi: Ne normalisht kemi pasur trysni edhe në të kaluarën. Para statusit, pastaj gjatë diskutimit për statusin në Vjenë dhe proceseve të tjera nëpër të cilat kemi kaluar, institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit politikë të Kosovës, kanë marrë dokumente të ndryshme dhe i kanë komentuar. Pra gjëja më bazike që duhet të ndodhë në këto procese është të ketë komunikim dhe të ketë edhe vërejtje edhe mospajtime.

Zëri i Amerikës: Ju vazhdoni të jeni kundër projekt-statutit të Asociacionit?

Berat Rukiqi: Ta sqaroj, e para problemi bazë është pse qeveria e Kosovës nuk arriti ta hartojë vetë një projekt-statut, që pastaj të jetë dokument bazë në tryezën e negociatave. Një mosdëgjim edhe i kërkesës së miqve dhe një mosdëgjim edhe i rekomandimeve tona të vazhdueshme, që ne duhet të shkojmë të përgatitur me opsionin dhe alternativën tonë se si mund të duket Asociacioni, që është obligim ndërkombëtar, që nuk ka më dilema a duhet të krijohet apo jo, bëri që të vijë një dokument gati në formatin merre ose lëre. Ky dokument që erdhi pas Marrëveshjes së Ohrit, përfshiu edhe elemente të Marrëveshjes së Ohrit që e ndryshon komplet natyrën edhe të marrëveshjeve të mëhershme.

Zëri i Amerikës: Megjithë zotimet e komunitetit ndërkombëtar se ajo që kanë ofruar nuk e shkel sovranitetin e Kosovës, ju mendoni se është e dëmshme?

Berat Rukiqi: Unë mund ta them me plot përgjegjësi edhe nga takimet që kemi patur këtu dhe nga takimet e tjera që i kemi patur në Prishtinë dhe në vende të tjera, ajo që është shumë e qartë është që këtë garanci kushtetuese mund ta japë vetëm Gjykata Kushtetuese. Mund të ketë zotime që në kuptim të implementimit dhe qasjes politike në të ardhmen kjo nuk do të jetë një Republikë Serbe, nuk do të jetë një nivel i tretë pushteti, megjithatë në se ka apo jo shkelje të kushtetutës këtë e jep vetëm Gjykata Kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Pak më herët ju përmendët masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Cili është dëmi i këtyre masave në ekonominë e Kosovës?

Berat Rukiqi: E kemi pjesën e drejtpërdrejtë të ndikimit. Janë 300 milionë euro të pakos financiare të mbështetjes nga Bashkimi Evropian për projekte të rëndësishme në Kosovë, pra të mos harrojmë janë një pjesë e projekteve të rëndësishme në fushën e energjisë dhe në fushën e dixhitalizimit, që prekin pastaj sektorin e rinisë, apo prekin projekte të ndryshme që do të mund të përfitonte rinia e Kosovës. Pra, është goxha e rëndësishme si vlerë financiare. Për një ekonomi të vogël dhe një ekonomi në zhvillim shkakton jashtëzakonisht dëm, sidomos në pjesët ku ne nuk kemi kapacitete investuese. Kjo është pjesa e parë: pjesa e dytë janë pasojat jo të drejtpërdrejta. Kjo ka ndikuar në humbjen e besimit në tregun e Kosovës. E kemi nënvizuar edhe në prezantimet tona të fundit mediatike elementin e uljes së eksporteve dhe ka indikacione se një pjesë e uljes së eksporteve të vitit 2023 në raport me vitin 2022, në vlerë totale është përafërsisht 101 milionë euro.

Zëri i Amerikës: Banka Botërore parashikoi rritje të bruto prodhimit të brendshëm në Kosovë për 3.9 për qind në vitin 2024 dhe 4 për qind për vitin 2025. Si i vlerësoni këto parashikime në dritën e zhvillimeve globale?

Berat Rukiqi: Ka pasur parashikime edhe më të larta për vitin e kaluar dhe ne kemi përfunduar me një ndër vitet më performancën më të dobët sa i përket ekonomisë. Pra, nëse e marrim jashtë vitit të pandemisë, viti i kaluar ka qenë nën mesataren që neve na ka karakterizuar pas pavarësisë. Ka qenë rreth 4 % prej vitit 2008 e tutje, pra jashtë vitit të pandemisë që ishte vit i jashtëzakonshëm. Normalisht që kjo ngre shqetësime. Për Kosovën 4% nuk është i mjaftueshëm. Ne synojmë që, në momentin që do të qeverisim, të kemi rritje ekonomike mbi 5% në mënyrë që të kemi një cikël të ri të zhvillimit i cili krijon vende pune dhe përspektivë për qytetarët. Vitin e kaluar, numri i personave që vlerësohet se janë të varfër është rritur. Nëse merren në vlera absolute janë mbi 26 mijë persona që janë shtuar në listën e atyre që janë të varfër. Kjo është vërejtur edhe në fuqinë blerëse, të gjitha matjet që i bëjmë ne dhe i bëjnë të tjerët e shohim që shqetësimi kryesor i qytetarëve të vendit është kostoja e jetesës, çmimet dhe pamundësia për t’i përballuar shpenzimet e ndryshme që mund t’i kenë. Mbi 50% e një page në Kosovë, shkon për shpenzime bazike. Kjo është më e larta në Evropë, asnjë vend nuk e ka këtë përqindje. Nëse i marrim shifrat e përqindjes së rritjes, politikanët, qeveritarët, pushteti në këtë rast i përdor në mënyrën e vetë, i manipulon, i ekzagjeron, por ajo që vërehet realisht në ekonomi është një krizë e fuqisë blerëse që pastaj ndikon në tërësi në ciklin e rritjes ekonomike, vërehet një krizë e likuiditetit te ndërmarrjet, pra ka kompani që kanë probleme në përmbushjen e obligimeve që i kanë në raport me njëra tjetrën dhe kjo është edhe një indikacion që u shfaqë këto ditë nga një institut i pavarur, e shohim që kemi gati një trefishim të mbitërheqjeve dhe një rritje të dukshme të kredive konsumuese. Qysh përkthehet kjo në realitet, pra qytetarët ose bizneset duke mos pasur mundësi të paguajnë faturat e veta kanë përdorur zgjidhje të shtrenjta, por të domosdoshme të financimit dhe që kanë qenë mbitërheqjet dhe kreditë konsumuese.