Rukiqi ankohet për tubimet partiake: Si mund të arsyetohet kufizimi i orarit të punës?

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj tubimeve elektorale që po organizohen në hapësira të mbyllura nga subjektet politike, ku me pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve po shkelen masat anti-Covid.

Rukiqi e quan të pakuptimtë ndalimin e ahengjeve dhe ngjarjeve të tjera, derisa nëpër restorante mblidhen dhjetëra persona.

“Tubimet e fundit elektorale, me dhjetëra persona në hapësira të mbyllura, i bëjnë të pavlera, të gjitha masat kufizuese, për parandalimin e pandemisë”, thotë Rukiqi, përmes një postimi në Facebook.

Më tej ai pyet se “si mund të arsyetohet, tash e tutje, ndalesa për organizimin e ahengjeve dhe ngjarjeve?” .

“Si mund të arsyetohet kufizimi i orarit të punës?? Politikanët edhe qytetaret e tjerë janë të barabartë para ligjit. Hipokrizi e llojit të vet është që të njëjtit që premtojnë sundim te ligjit, të vazhdojnë natën dhe ditën të shkelin ligjin”, ka thënë Rukiqi.